Fillimi LajmeMinistrja Kushi për mbylljen e kolegjit të lidhur me FETO-n: Vendimi për shkak të shkeljeve të legjislacionit

Ministrja Kushi për mbylljen e kolegjit të lidhur me FETO-n: Vendimi për shkak të shkeljeve të legjislacionit

nga Shekulli Agency

Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy” në Tiranë, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO, transmeton (AA).

Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Kushi shkruan se “nisur nga interesimi dhe spekulimet në lidhje me shkaqet që çuan në heqjen e licencës dhe mbylljen e shkollës jopublike ‘Mehmet Akif Ersoy’, sqarojmë se ky vendim është rezultat i konstatimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit (MAS) të një sërë shkeljeve të legjislacionit në fuqi nga zotëruesit e licencës në fjalë”.

Duke renditur shkeljet, Kushi shkruan se, “Kanë filluar procesin mësimor 2022-2023 në një vendndodhje dhe mjedise të tjera, të pa miratuara nga MAS, pra pa certifikimin ligjor përkatës të standardeve të godinës, nuk i kanë plotësuar më tej kriteret ligjore edhe pse nga ana MAS është kryer dy herë verifikimi i tyre. Në kushtet e ushtrimit të veprimtarisë jashtë kritereve përkatëse licenca duhet të revokohet.”

Ajo ka theksuar se Ministria e Arsimit dhe Sportit në çdo rast ka përgjegjësinë për garantimin e standardeve, sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve.

“Prandaj, në respekt të ligjit dhe në mbështetje të 160 nxënësve dhe të familjeve të tyre, (MAS) do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të transferuar nxënësit në shkolla që përmbushin kriteret dhe standardet e funksionimit”, shkruan Kushi.

Kushi thekson më tej se Ministria e Arsimit dhe Sportit nënvizon se revokimi i licencës në fjalë nuk ka asnjë lidhje me spekulimet e ndryshme rreth shkaqeve të këtij vendimi.

Këshilli i Ministrave i Shqipërisë vendosi më 22 shtator mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar kolegjit “Mehmet Akif Ersoy”, që është pjesë e Fondacionit Gülistan, i njohur për afërsinë me organizatën terroriste FETO.

Gjithashtu autoritetet në Shqipëri disa ditë më parë kanë vendosur për mbylljen e veprimtarisë edhe të institucionit arsimor privat, kopshtit “Zubeyde Hanim”, në Tiranë, që është pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”, e lidhur me organizatën terroriste FETO, për shkak të konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi, që përbëjnë mosplotësim të kushteve të licencimit.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies