
Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në seancë plenare “rezolutën për unitetin politike e qytetar në mbrojtje të vlerave të popullit” me synim vendosjen e drejtësisë në pajtim me Rendin Kushtetues të Kosovës.
Siç njofton Kuvendi i Kosovës, rezoluta e cila u propozua nga deputetja e Aleancës Kosova e Re (AKR), Mirlinda Sopi-Krasniqi, rithekson faktin se “shteti serb ka kryer spastrim etnik duke dëbuar në mënyrë të organizuar rreth 1 milion qytetarë; ka vrarë 12.000 civilë, në mesin e të cilëve mbi 1 mijë e 300 fëmijë; ka kryer më shumë se 400 masakra; ka dhunuar rreth 20.000 gra dhe vajza si dhe ka shkatërruar pasurinë e qytetarëve, monumentet kulturore, fetare e historike dhe infrastrukturën e Kosovës”.
Nëpërmjet kësaj rezolute, Kuvendi i Kosovës ka kërkuar që domosdoshmërisht të gjendet zgjidhje sa më e shpejtë e çështjes së të pagjeturve, “të cilët janë zhdukur si rezultat i veprimeve agresore të shtetit serb ndaj popullit të Kosovës”.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës ia rikujton bashkësisë ndërkombëtare përpjekjen 20-vjeçare për të vendosur drejtësi ndaj veprimeve të shtetit serb në Kosovë, si dhe qasjen e vazhdueshme refuzuese të Serbisë ndaj këtyre kërkesave”, shkruan në rezolutën, ku kërkohet drejtësi për viktimat kosovare.
Rezoluta gjithashtu rikujton “qasjen selektive ndaj krimeve të shtetit serb në Kosovë, duke mbrojtur agresorin dhe duke gjykuar viktimën”, ndërsa i konsideron të papranueshme tentimet e shtetit serb “që me fabrikime përpiqet ta rishkruajë historinë e Kosovës”.
Nëpërmjet votimit të kësaj rezolute, deputetët e kuvendit janë pajtuar se Kosova ka qenë e gatshme ta vërtetojë drejtësinë e luftës mbrojtëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa në të theksohet se pastërtia e UÇK-së është vërtetuar disa herë deri më tani në mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare në vend.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës respekton Dhomat e Specializuara dhe kërkon që puna e tyre të bazohet në respektimin e ligjeve të Kosovës dhe rregullave ndërkombëtare të funksionimit të saj dhe që këto dhoma të jenë fer e të paanshme në trajtimin e të gjitha lëndëve”, shkruan më tej kjo rezolutë.
Në fund të dokumentit, kuvendi ka shprehur shqetësim për shkeljet e mundshme procedurale të bëra me rastin e publikimit të emrave përkitazi me propozim-aktakuzën e pakonfirmuar ndaj pjesëtarëve të UÇK-së.
Së fundi, më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës aktakuzë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.