Fillimi LajmeKurti: Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë në jetën publike të qytetarëve

Kurti: Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë në jetën publike të qytetarëve

nga Shekulli Agency

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) po punon për të adresuar shqetësimin e ngritur të qytetarëve nëpërmjet një fushate për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që ndalon bartjen e shamisë në shkollat e Kosovës, raporton (AA).

Pas një konference për media në Doganën e Kosovës, Kurti ka theksuar edhe një herë qëndrimin e tij pro mbajtjes së shamisë për vajzat nga mosha 16-vjeçare.

“Qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetësh, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Por, gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu”, tha Kurti.

Kjo deklaratë e kryeministrit kosovar vjen në një kohë kur në Kosovë ka nisur një fushatë në rrjetet sociale që bën thirrje në ndryshimin e Udhëzimit Administrativ të MASHTI-t që ndalon mësim-nxënien me uniformë fetare në shkolla.

Thirrje për ndryshimin e “Udhëzimit Administrativ për Shaminë”

Thirrja “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për Shaminë” e cila u nis nga dy të rinj, Durim Berisha dhe Liridon Kurti, i është dërguar MASHTI-it në formë letër-thirrjeje për veprim. Pas kësaj, mijëra thirrje të njëjta me këtë shkurtesë kanë “pushtuar” tash e disa ditë profilet dhe postimet e udhëheqësve të lartë të institucioneve shtetërore.

Së fundmi është hapur edhe peticion për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ të hyrë në fuqi nga viti 2014 i cili përcakton se “Ndalohet… veshja e uniformës fetare”. Deri më tash, peticioni është nënshkruar nga mbi 10 mijë persona.

Juristi Durim Berisha, në një prononcim për AA thotë se kërkesa e tillë vjen para fillimit të vitit të ri shkollor, derisa thotë se shpreson që një gjë e tillë të zgjidhet drejtë, një herë e mirë.

“Po shpresojmë që kjo çështje të mos jetë më temë diskutimi në publik. Kërkesa është dorëzuar nga unë, për shkak se sipas nenit 55 të Kushtetutës, liritë dhe të drejtat themelore kufizohen vetëm me ligj dhe jo me akte nënligjore sikurse është Udhëzimi Administrativ në fjalë, i cili pamundëson qasjen e barabartë ne arsim. Miku im Liridon Kurti ka inicuar më pas një fushatë në rrjete sociale e cila po gjen mbështetje të madhe tek qytetarët ndërsa tanimë është lansuar edhe peticioni online”, theksoi Berisha.

Në peticionin e përmendur është theksuar se kufizimi i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti nënligjor ka pamundësuar qasjen e barabartë në arsim për vajzat e komunitetit musliman dhe kjo dispozitë, si e tillë, është e paligjshme dhe në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi, “është obligim ligjor i Ministres së Arsimit që ta largojë këtë dispozitë pakushtetuese nga rendi juridik”.

– “Shfuqizimi i udhëzimit administrativ proceduralisht është lehtësisht i arritshëm”

Njohësi i politikave të arsimit, Rinor Qehaja, në një deklaratë për AA thotë se ndryshimi i udhëzimit administrative procesduralisht është lehtë i arritshëm me vullnet politik.

Qehaja thekson se institucionet qeveritare duhet të garantojnë shkollim të barabartë për të gjithë nxënësit.

“Shfuqizimi i udhëzimit administrativ proceduralisht është lehtësisht i arritshëm, veçanërisht për kategori të udhëzimeve për të cilat ka një vlerësim për jo ligjshmëri. Janë dhjetëra udhëzime administrative që kërkojnë shfuqizim – është vullneti politik ai që jetësoj këto ndryshime. Institucionet qeveritare duhet të garantojnë shkollim të barabartë për të gjithë nxënësit, është për keqardhje që kjo vihet në pikëpyetje”, theksoi ai.

– MASHTI është duke i trajtuar me kujdes aspektet ligjore

Një ditë para reagimit të kryeministrit Kurti, edhe MASHTI ka reaguar me një njoftim.

MASHTI ka bërë të ditur se “është duke i trajtuar me kujdes aspektet ligjore dhe rregullimin e çështjeve të rëndësishme në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Institucioni më i lart arsimor në vend ka thënë në një komunikatë për media se e drejta për shkollim është e garantuar me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Arsimin Parauniversitar dhe “konform përgjegjësive që kemi, do t’i përmbushim të gjitha obligimet ligjore dhe të sigurohemi që çdo fëmijë të jetë në bankat shkollore”.

“Ministria e Arsimit do të angazhohet në avancimin e sistemit arsimor dhe krijimin e një mjedisi të sigurt, të favorshëm dhe mbështetës për të gjithë ku askush nuk ndihet i përjashtuar dhe cenuar”, shkruan në reagimin e MASHT-it.

Thirrje për ndryshimin e Udhëzimit Administrativ që përjashton mësim-nxënien e pjesëmarrësve me uniformë fetare kishte bërë në Kuvendin e Kosovës edhe deputetja nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje dhe qytetarë të shumtë.

Në mars të këtij viti një shkollë në Gjakovë vendosi shaminë krahas armëve dhe duhanit si gjëra të palejuara në shkollë, veprim i cili pasoi me një reagim të gjerë qytetarë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies