Fillimi LajmeKosovë, qeveria miraton marrëveshjen Thaçi-Vujanoviç për demarkacionin

Kosovë, qeveria miraton marrëveshjen Thaçi-Vujanoviç për demarkacionin

nga Shekulli Agency

Qeveria e Kosovës në mbledhjen solemne me rastin e 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës miratoi aneks-marrëveshjen e nënshkruar mes Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të sektorëve të Çakorrit dhe Kullës, raporton (AA).

Mbledhja solemne e Qeverisë së Kosovës filloi me një minutë heshtje për dëshmorët e luftës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi shqyrtimin e pikës së parë të rendit të ditës që ishte aneks-marrëveshja e nënshkruar e cila është pjesë e deklaratës së nënshkruar dje ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç për rishikimin dhe korrektimin e vijës kufitare në drejtim të Çakorrit dhe Kullës.

Haradinaj tha se kjo marrëveshje si e tillë ka një element shumë të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës por edhe i institucioneve të Malit të Zi. Ai tha se rishikimi dhe korrektimi duhet të jetë substancial duke respektuar marrëveshjën dhe të gjeturat e trupave punues të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Me këtë deklaratë të përbashkët të presidentëve si aneks i marrëveshjes së mëhershme janë krijuar rrethanat dhe mundësitë që e drejta e Kosovës në territor të respektohet në tërrësi. Bazuar në këtë poashtu janë krijuar rrethanat që Parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votojë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha Haradinaj.

Pas mbledhjes solemne në një konferencë për media Haradinaj tha se koalicioni qeverisës i ka 61 vota por theksoi se që të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare duhet të arrihen 2/3 e shumicës së Kuvendit pra që nënkupton 80 vota nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi.

Ai paralajmëroi se këtë të dielë mund të dështojë seanca e Kuvendit për shqyrtimin e demarkacionit duke theksuar se gjatë javës që vjen mund të arrihen edhe votat për ratifikim. Ai në fund tha se e drejta e Kosovës është respektuar në këtë marrëveshje dhe deputetet e Kuvendit me krenari duhet ta votojnë atë.

Ndërsa në pikën e dytë të rendit të ditës ishte shënimi i 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës ku Haradinaj duke uruar festën e pavarësisë të gjithë qytetarëve, gjithë shqiptarëve, miqve dhe aleatëve të Kosovës ftoi të gjithë qytetarët e vendit që të bashkohen në koncertin e yllit botëror të muzikës, këngëtares me prejardhje nga Kosova, Rita Ora që do të mbahet sonte në ora 22:00 në Prishtinë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies