Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me burgim me kusht katër deputetët e partisë Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi, raporton AA.
Katër deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës para më shumë se dy vitesh në seancën e Kuvendit të Kosovës me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, shqiptoi dënimin në mospraninë e të akuzuarve në këtë seancë gjyqësore. Gjykata gjykoi deputetin Albin Kurti me 1 vit e 6 muaj, Albulena Haxhiun me 1 vit e 3 muaj, Donika Kadaj-Bujupin me 1 vit e 6 muaj, ndërsa Faton Topallin me 1 vit e 2 muaj.
Kalludra shpalli fajtorë deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm (gazin lotësjellës) pa autorizim me datën 08.10.2015 në sallën e Kuvendit të Republikës duke i penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare.
Po ashtu edhe deputetja Donika Kadaj-Bujupi është dënuar për përdorimin e armës të gazit lotsjellës pa autorizim ndërsa deputeti tjetër Faton Topalli për veprën “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.
Dënimet e shqiptuara me burgim nuk do të ekzekutohen nëse të akuzuarit gjatë dy viteve nuk kryejnë vepra të tjera penale. Të pandehurit kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë kundër vendimit të gjykatës brenda 15 ditëve.
Njëra nga deputetet e akuzuara Albulena Haxhiu përmes rrjeteve socile bëri të ditur se katër deputetët e VV-së të cilët akuzohen për hedhjen e gazit lotsjellës nuk do të shkojnë sot në seancën gjyqësore ku pritet të shpallet vendimi ndaj tyre.
“Ne, deputetët e akuzuar, nuk do të jemi në seancë për të dëgjuar një aktgjykim politik! Sigurisht që nesër do duhej të nxirrej aktgjykim lirues dhe jo fajësues por duke e parë kapjen e këtij sistemi të drejtësisë, kjo duket e pamundur. Por, pavarësisht kësaj edhe gjyqtari Kalludra por edhe të tjerët që e kanë bishtin e zënë me derë, e kanë të qartë se pavarësisht dënimeve që mund të marrim, do të veprojmë në mbrojtje të vendit gjithnjë”, ka shkruar Haxhiu.