Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar këtë javë nga zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schwarz, t’i shpallë “persona të padëshiruar” dy zyrtarë të Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë.
Siç bëri të ditur presidentja Osmani nëpërmjet rrjeteve sociale, kërkesa e saj ka të bëjë me aktivitetin e tyre të dëmshëm, “i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”.
“Sot, MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, shkroi Osmani.
Presidentja tha se institucionet e Kosovës janë të vendosura në luftën kundër ndikimit keqdashës të Federatës Ruse dhe satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë rrënimin e arritjeve të Kosovës, SHBA-së, NATO-s dhe BE-së.
“Për këtë arsye do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me aleatët tanë amerikanë dhe evropianë për ta parandaluar tentimin që Kosova dhe rajoni ynë të jenë pre e ambicieve destablizuese të Federatës Ruse”, shkroi Osmani.
Ajo ka siguruar qytetarët kosovarë se institucionet shtetërore nuk do të hezitojnë të veprojnë çdoherë kur cenohet siguria dhe rendi kushtetues në vend.
