
Forca Paqeruajtëse Ndërkombëtare e udhëhequr nga NATO në Kosovë, KFOR, me një ceremoni solemne ka bërë sot ndërrimin e komandantëve në Shtabin e Përgjithshëm të KFOR-it në Prishtinë, raporton AA.
Gjeneralmajor Michele Risi është emëruar komandant i ri i KFOR-it në Kosovë ndërsa detyrën ia ka dorëzuar komandanti i deritanishëm, Lorenzo D’Addario.
D’Addario, në fjalën e tij përshëndetëse tha se ndërrimi i komandës shënon ripërtëritjen e përkushtimit të kombeve të NATO-s në Kosovë. Kryefjalë të punës së tij në Kosovë, ai e ka zgjedhur moton “Të bashkuar në përkushtim”, që përfaqëson synimin e përbashkët për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon.
“Kam pasur për qëllim që të siguroj se vlerat e NATO-s do ta shtyjnë KFOR-in drejt arritjes së standardeve më të mira të shërbimit, në një formacion ku secili individ mund të jep kontribut të çmuar dhe të vlefshëm, duke i ngritur aftësitë, dhe krenar që është anëtar i rëndësishëm i një komuniteti të profesionalizmit ushtarak. Jam munduar të jem një komandant që e meriton shërbimin tuaj vetëmohues, ju jam mirënjohës juve dhe familjeve tuaja”, tha D’Addario.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij shprehu falënderimin për komandantin e deritanishëm, teksa i uroi punë të mbarë komandantit të ri.
“Edhe pas 20 vjetësh prezence në Kosovë, KFOR-i vazhdon të jetë një prej organizatave që gëzon besimin më të madh të qytetarëve tanë. Ky besim i madh nuk është aspak i rastësishëm, por është i krijuar falë punës profesionale, të paanshme dhe të suksesshme që ushtarët e KFOR-it e kanë bërë gjatë gjithë këtyre viteve. Suksese, jo vetëm në mbrojtjen e kufijve të jashtëm të Kosovës, të hapësirës ajrore të saj por, veçanërisht suksese në përkrahjen e Kosovës edhe nga brenda”, tha Thaçi.
Komandanti i ri i KFOR-it, major gjeneral Michael Risi, në fjalën e tij u premtoi ushtarëve të KFOR-it se do ta japë maksimumin për çdo ditë në terren.
Duke e falënderuar Shefin e Mbrojtjes së Italisë për besimin e përzgjedhjes së tij në këtë pozitë, Risi tha se ndjehet i nderuar dhe merr këtë përgjegjësi me përulje.
“Do t’i njoftojë udhëheqësit e mi së pari për rrugën e shtruar shkëlqyeshëm nga pararendësi dhe shoku im i dashur e i vjetër, gjeneral majori Lorendo D’Addario: ‘Të bashkuar në përkushtim’ për ‘Stabilitet të qëndrueshëm’ si në Kosovë ashtu edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Risi, duke i ritheksuar motot e punës së KFOR-it në Kosovë.
Risi gjithashtu i falënderoi 20 shtetet aleate dhe 8 shtetet partnere të cilat kontribuojnë në sigurinë e popullit të Kosovës, për të cilat ai tha se “janë shtytësi kyç i stabilitetit të Kosovës, Ballkanit Perëndimor dhe tërë rajonit euroatlantik”.
Italiani D’Addario u emërua si komandant i KFOR-it gjatë vitit 2018 dhe shërbeu për rreth 1 vit në këtë detyrë.