Ministria e Brendshme e Republikës së Serbisë nuk ka lejuar hyrjen e përfaqësueses së Kosovës në Karate për seniorë në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatit Evropian të Karatesë që do të mbahet në Novi Sad të Serbisë.
Sekretari i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi në një prononcim për AA tha se sot në orët e hershme të mëngjesit përfaqësuesja e Kosovës në Karate nuk është lejuar të hyj në Serbi nga pika kufitare në Merdare dhe është detyruar të kthehet në Kosovë.
“Ndihemi shumë keq për shkak të këtij vendimi politik të Serbisë” , tha Gashi.
I pyetur lidhur me arsyen pse nuk i është lejuar hyrja, Gashi tha se nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Serbisë.
Sa i përket spekulimeve në media për mos lejimin e ekipit të Kosovës që të përdorin simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, Gashi theksoi se nuk e kanë diskutuar fare këtë çështje me Federatën e Karatesë së Serbisë.
Kujtojmë se Kosova është anëtare e Federatës Evropiane të Karatesë dhe sportistët e kësaj federate duhet të garojnë me simbolet shtetërore të Kosovës.
– Haradinaj: “Ndalimi i Kombëtares së Kosovës akt i papranueshëm”
Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka reaguar në lidhje me kthimin e karateistëve kosovarë nga autoritetet serbe në Merdare, të cilët udhëtonin në Serbi për të marrë pjesë në Kampionatin Evropian të Karatesë në Novi Sad.
Në një komunikatë nga Zyra e Kryeministrit thuhet se “Ndalimi i Kombëtares së Kosovës për të marrë pjesë në Kampionatin Europian të Karatesë në Novi Sad, kryeqytetin e Vojvodinës, është akt i papranueshëm, i paprecedentë dhe i tmerrshëm, për shekullin 21 të kontekstit të integrimeve evropiane dhe nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve”.
“Kthimi nga Merdarja në shtëpi i karateistëve tanë duke mos u lejuar që të garojnë në një event sportiv është shkelje flagrante e të gjitha Konventave Ndërkombëtare për lëvizje të lirë dhe diskriminim në baza entike. Autoritetet serbe janë njoftuar më 3 maj për këtë udhëtim dhe pretendimi se ato nuk janë informuar më kohë është i paqëndrueshëm”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka njoftuar autoritetet e Serbisë për udhëtimin e sportistëve kosovarë për në Novi Sad.
“Marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për paralajmërimin e vizitave 48 orë përpara ka të bëjë me zyrtarët shtetërorë, përkatësisht me politikanët e rangut të lartë, por jo edhe me sportistët. Por edhe sipas kësaj marrëveshjeje, Serbia është dashur të reagojë pas 24 orëve nëse është kundër vizitës, por këtë nuk e ka bërë”, thuhet në njoftim.
(AA)