
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka deklaruar se qëndron me SHBA-të në përgjigjen e saj ndaj sulmeve raketore në bazat amerikane në Irak.
Duke folur para gazetarëve në Tokio, Abe tha se vendi i tij u ka bërë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë vetëpërmbajtje, duke shtuar se qëndrimi i tyre është që të mbështesin “përgjigjen e përmbajtur” të SHBA-ve.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme diplomatike për të lehtësuar dhe stabilizuar situatën në Lindjen e Mesme”, tha Abe.
Në vazhdën e sulmeve të fundit iraniane, raportohet se Abe anuloi udhëtimin e tij të planifikuar për në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Oman, që ishte planifikuar për këtë fundjavë.
Qeveria japoneze miratoi vendosjen e personelit të Forcave Vetë-Mbrojtëse në zonat në rajon për të mbrojtur anijet e saj tregtare që sjellin 90 për qind importe të naftës së papërpunuar në Japoni.
Ndërkohë, Hassan Rouhani, ishte presidenti i parë iranian që vizitoi Japoninë në 19 vitet e fundit, pasi në muajin dhjetor takoi kryeministrin Abe për bisedime bilaterale.
Në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës, Irani nisi sulme raketora ndaj bazave të SHBA-ve në Irak. Sulmet erdhën në vazhdën e vrasjes së javës së kaluar të Qasem Soleimani-t, kreut të forcave elitare Kuds të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), në një sulm ajror jashtë Aeroportin Ndërkombëtar të Bagdadit.
Sipas televizionit shtetëror iranian, 80 shtetas amerikanë u vranë në sumet me raketa balistike në bazat ushtarake irakiane. Por, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, tha se asnjë amerikan nuk është dëmtuar në sulmet e Iranit ndaj forcave amerikane në Irak.
Pas sulmeve iraniane, presidenti Trump u përgjigj me një paralajmërim për sanksione të ashpra ekonomike mbi Teheranin, por nuk sinjalizoi ndonjë veprim shtesë ushtarak amerikan.