Fillimi LajmeIsh-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i ndalohet hyrja në SHBA

Ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i ndalohet hyrja në SHBA

nga Shekulli Agency

Ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqiprisë, Sali Berisha, është shpallur si person i papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Vendimi është bërë publik nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili në rrjetet sociale tha se “Veprimet korruptive të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minuan demokracinë në Shqipëri. Sot shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.

Ndërkohë, në njoftimin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i referohet deklaratës së sekretarit Blinken, thuhet se në cilësinë e tij zyrtare si Kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, “duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

“Për më tepër, retorika e tij (Berishës) tregon se ai është i gatshëm të mbrojë veten, anëtarët e familjes së tij dhe aleatët e tij politikë në kurriz të hetimeve të pavarura dhe përpjekjeve antikorrupsion. Me këtë përcaktim, unë po rikonfirmoj nevojën për llogaridhënie dhe transparencë në institucionet demokratike të Shqipërisë, për proceset qeveritare dhe veprimet e zyrtarëve publikë shqiptarë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Më tej theksohet se ky përcaktim riafirmon angazhimin e SHBA-së për mbështetjen e reformave politike thelbësore për institucionet demokratike të Shqipërisë dhe theksohet se “Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të qëndrojnë me popullin e Shqipërisë. Departamenti do të vazhdojë të përdorë autoritete si kjo për të promovuar përgjegjësinë për aktorët e korruptuar në rajon dhe globalisht”.

Pjesë e ndalesës për të hyrë në SHBA janë bashkëshortja e Berishës, Liri Berisha, djali i tij, Shkëlzen Berisha, dhe vajza e tij, Argita Berisha Malltezi.

Sali Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti ai u zgjodh deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies