
Agjencia e Inteligjencës së Brendshme izraelite Shin-Bet (Shabak) njoftoi se një shtetas izraelit u ndalua me arsyetimin se “ka pranuar të ndërmarrë një sërë veprimesh në marrëveshje me inteligjencën iraniane”, transmeton Anadolu.
Në deklaratën e Shin Bet thuhet se 21-vjeçari izraelit Elimelech Stern “kontaktoi një llogari të lidhur me inteligjencën iraniane përmes mediave sociale dhe iu kërkua të kryente një sërë detyrash në këmbim të kriptomonedhës”.
Në deklaratë thuhet se shtetasit izraelit “iu kërkua të varte parulla në Tel Aviv, të fshihte para në pika të ndryshme, të shkaktojë zjarre në pyje, të kryejë vrasje, të dërgojë mesazhe kërcënuese, pako që përmbanin thika, kafshë të prera dhe koka lodrash në dyert e civilëve izraelitë”.
Më tej theksohet se përveç Sternit janë ndaluar edhe dy shtetas tjerë izraelitë, por këta persona janë lënë të lirë derisa të merret vendimi për ta.