Fillimi LajmeIDK: Efektet pozitive dhe negative nga vazhdimi ose pezullimi i taksës ndaj Serbisë

IDK: Efektet pozitive dhe negative nga vazhdimi ose pezullimi i taksës ndaj Serbisë

nga Shekulli Agency

Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) sot prezantoi aspekte pozitive dhe negative të dy skenarëve të mundshëm lidhur me taksën 100 për qind për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të cilat mund të vazhdojnë ose të pezullohen.

Zëdhënësja e IDK-së, Jeta Krasniqi në një konferencë për media deklaroi se në bazë të tregimeve publike dhe vlerësimeve të ekspertëve, janë konsideruar dhe shqyrtuar efektet pozitive dhe negative të vazhdimit ose pezullimit të taksave, edhe atë nëpërmjet ndikimit në pesë aspekte, në dialogun me Serbinë, marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, politikën e brendshme në Kosovë dhe aspekti politik dhe qytetar.

Krasniqi, duke analizuar skenarin e pezullimit të taksës tha se vazhdimi i dialogut me Serbinë do të ishte pozitiv në vetvete, pasi do të forconte pozitën negociuese të Kosovës dhe për shkak se Kosova tani ka një instrument kushtëzues që mund të imponojë tema të caktuara për bisedime në dialog.

Ajo theksoi se pezullimi do të ishte pozitiv edhe në kontekstin e heqjes së etiketës se Kosova është një subjekt i papërgjegjshëm në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që Serbia po përpiqet t’ia ngjesin Kosovës.

“Nëse flasim për efektet negative, pavarësisht vazhdimit të dialogut, mbetet mungesa e unitetit të brendshëm shtetëror në Kosovë ndaj dialogut me Serbinë, ndërsa Serbia nuk ka ndërprerë fushatën ose politikën e saj agresive ndaj Kosovës. Rreziku që ekziston është se Serbia dhe faktori ndërkombëtar mund të vendosin kushte të reja, ndërsa rreziku më i madh është që Kosova të arrijë marrëveshje kompromisi që nuk është në favor të Kosovës”, tha Krasniqi.

Ajo theksoi se pezullimi i taksës do të ndikojë pozitivisht në kthimin e marrëdhënieve të mira të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë si dhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës. Ka gjithashtu një rritje pozitive në hyrjet doganore ndërsa negative është rritja e çmimeve të mallrave në treg si dhe kontrabanda e mallrave nga Serbia.

Nga këndvështrimi i qytetarëve, pozitive në rastin e pezullimit është ruajtja e miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë ndërsa negative rritja e pasigurisë lidhur me rezultatin potencial të dialogut.

Eugen Cakolli, duke paraqitur analizën e një skenari të mundshëm të vazhdimit të taksës, tha se pozitive është se janë ndalur skenarët e mundshëm negativë në dialog që nuk ishin në favor të Kosovës. Negative është vazhdimi i përkeqësimit të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë që Kosovën e shohin si pengesë për vazhdimin e dialogut dhe që tashmë kanë vendosur masa të caktuara dënimi kundër institucioneve dhe autoriteteve të caktuara në Kosovë.

Cakolli tha se nga aspekti i brendshëm politik do të kishte vazhdim pozitiv të debatit të brendshëm mbi nevojën e një konsensusi shtetëror dhe krijimin e një hapësire për ndërtimin e qëndrimit zyrtar të Kosovës lidhur me dialogun.

“Efekti kryesor negativ nga aspekti i politikës së brendshme në Kosovë është polarizimi ndërmjet institucionit të Presidentit, Qeverisë, partnerit të koalicionit qeverisës dhe subjekteve të tjera politike si dhe tkurrjes së politikës së jashtme të Kosovës vetëm në lidhje me çështjet e dialogut dhe taksës mbi produktet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina”, tha Cakolli.

Ai tha se vazhdimi i taksës është pozitiv për rritjen e konsumit të produkteve vendase ndërkohë që efekti negativ është rritja e çmimeve të produkteve të caktuara dhe kontrabanda.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies