
Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, pas rasteve të fundit të vdekjes dhe infektimit me virusin Covid-19 në Itali, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse nuk kanë nevojë urgjente, të anulojnë udhëtimet në rajonin e Italisë veriore.
“Në këtë moment nuk ka të dhëna nëse kemi shtetas tanë të sëmurë apo nën monitorim në Itali. I kërkuam konsullit tonë që nëse ekziston ndonjë mekanizëm që ai të informohet nëse ndonjë grup i qytetarëve tanë dëshiron të kthehen në vendin tonë dhe në cilën mënyrë do të kemi informata shtesë ku dhe kur do të paraqiteshin në kalimet kufitare”, deklaroi Filipçe.
Rritet shkalla e gatishmërisë
Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka rritur nivelin e gatishmërisë për parandalimin dhe menaxhimin me të infektuarit eventual nga koronavirusi.
Siç ka njoftuar ministria, për shkak të gjendjes së re të krijuar nga koronavirusi në rajonet Lombardi, Veneto dhe Emilia-Romagna në Itali, ministri Filipçe zhvilloi një takim me Komisionin e Sëmundjeve Infektive ku është konstatuar se gatishmëria duhet ngrihet në një nivel më të lartë.
Komisioni ka miratuar masa të reja dhe më të fuqishme për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të mundshme që do të koordinohen më tej në takimin e sotëm me Qendrën për Menaxhimin e Krizave në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.
Konkluzionet fillestare të mbledhjes së Komisionit për Sëmundje Infektive janë që duhet të shtohet kontrolli në të gjitha vendkalimet kufitare dhe në të dy aeroportet në vend.
Sipas kumtesës, në vendkalimet kufitare do të ndahen hapësira të veçanta ku do të intervistohen të gjithë pasagjerët që vijnë nga destinacionet e rrezikshme dhe do të bëhet një ekzaminim fillestar i shëndetit të tyre.
“Në aeroportin e Shkupit, kamera termike është vendosur në një vend ku do të monitorojë të gjithë pasagjerët që vijnë, jo vetëm pasagjerët në Dubai dhe Stambolli. Me pistoletë pa kontakt që detekton temperaturën e trupit do t’u bëhet skrining pasagjerëve që vijnë nga destinacionet e rrezikshme edhe në aeroportin e Ohrit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Mes tjerash, theksohet se nëse paraqitet nevoja, Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shtip do të funksionojë si një institucion izolimi.
“Testet e rasteve të dyshimta do të kryhen në Klinikat e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe Kumanovë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë informon se në vend ka mjaft reagentë për testimin e koronavirusit”, thuhet në kumtesë.
Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë plotësisht masat parandaluese për mbrojtje siç janë mbrojtja shtesë e ushqimit, mbrojtje e veçantë gjatë punës në tregjet e hapura, mbrojtjen e popullsisë nga ftohja, si dhe larjen e shpeshtë dhe të detyrueshme të duarve.
Numri personave që kanë humbur jetën nga lloji i ri koronavirusit Covid-19 në Itali është rritur në 5. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, 219 persona janë infektuar me virusin vdekjeprurës. Raportet e fundit tregojnë se Italia tani është vendi i tretë në botë sipas rasteve të koronavirusit, pas Kinës dhe Koresë së Jugut.
Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut lëshoi një kumtesë në lidhje me situatën me koronavirusin në Itali.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, sipas informacioneve të marra nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Venecia të Italisë, ka njoftuar se deri më tani nuk ka asnjë informacion mbi qytetarët tanë që vuajnë nga koronavirusi”, thuhet në deklaratë.
Anadolu Agency