Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha sot në qytetin lindor turk Erzurum se qyteti i Kirkukut është një rajon i kontestuar sipas ligjit ndërkombëtar dhe jo në pronësi të Administratës Rajonale Kurde në veri të Irakut, siç thonë ata, raporton (AA).
Erdoğan qëndroi në qytetin lindor turk, Erzurum dhe me rastin e adresimit të tij para qytetarëve të tubuar, komentoi zhvillimet në veri të Irakut, në lidhje me referendumin jolegjitim të mbajtur kohët e fundit atje.
“Në hartën të cilën e ka vizatuar Administrata në veri të Irakut sipas dëshirës së saj, në shumë zona të populluara, arabët, turkmenët apo grupet e tjera etnike përbëjnë popullatën shumicë. Por, a e dini se çfarë thotë ligji ndërkombëtar, këto i quan ‘rajone të kontestuara’. Kirkuku është rajon i kontestuar dhe çfarë thonë ata?, “Kirkuk është i yni”. Për çfarë po flisni, a jeni madje ndokund në historinë e Kirkukut, nuk jeni?”, tha Erdoğan.
Ai theksoi se në veri të Irakut nuk po formohet një shtet i pavarur, por po hapet një plagë që vazhdimisht do të rrjedhë gjak.
“Në veri të Irakut, nuk po formohet një shtet i pavarur, por po hapet një plagë që do të rrjedhë vazhdimisht gjak dhe të cilën ndonjëri sipas dëshirës së tij do ta shpërthejë. Injorimi i këtij fakti nuk do të sjellë kurrfarë përfitimi, as neve, as vëllezërve tanë kurdë apo grupeve të tjera në rajon”, tha Erdoğan.
“Kurrë nuk jemi penduar për atë që kemi bërë në të kaluarën. Kushtet kanë ndryshuar dukshëm, sepse administrata në veri të Irakut, të cilës prej kohësh i kemi ofruar çdo lloj mbështetjeje, ka bërë një hap dhe sipas vendit tonë për këtë arsye dhe do të paguajë çmimin”, tha Erdoğan.