
Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj, duke shtuar se e ardhmja dhe siguria e shtetit fillojnë shumë përtej kufijve të saj.
“Turqia do të vazhdojë të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj në Irak, Siri dhe në Mesdhe”, tha presidenti Erdogan gjatë fjalimit të tij në kryeqytetin Ankara në një ngjarje për persona me aftësi të kufizuara si dhe fëmijët nën mbrojtjen e qeverisë.
Duke iu referuar planeve të përbashkëta me Libinë për të dërguar trupat turke, Erdogan tha: “Ne jemi në këto vende (Libi), ku paraardhësit tanë bënë histori, sepse ne ishim të ftuar atje për të zgjidhur padrejtësinë dhe persekutimin”.
Ai tha se Turqia do të japë “përgjigjen më të mirë” për ata që nuk kuptojnë se siguria e shtetit fillon përtej kufijve të saj, duke kritikuar kundërshtimet ndaj vendimit.
Më 2 janar, Parlamenti i Turqisë kaloi mocionin që i lejon të dërgojë trupa si ndihmë ushtarake për Qeverinë e Pajtimit Kombëtar (GNA) të Libisë, e cila është rrethuar nga forcat e gjeneralit puçist Khalifa Haftar.
Forcat e Haftarit, të mbështetura nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, kanë bërë përparime të rëndësishme në javët e fundit.
Në muajin prill, forcat e Haftarit filluan një fushatë ushtarake për të marrë kontrillin në Tripoli nga qeveria e njohur ndërkombëtarisht.
Që nga rrëzimi i ish-liderit libian Muammar Gaddafi në vitin 2011, në Libi janë shfaqur dy qendra pushteti, një në lindje të Libisë, i cili ka nisur një fushatë për pushtimin e Tripolit dhe GNA në Tripoli, e cila gëzon mbështetjen ndërkombëtare dhe atë të OKB-së.