
Dy nga njëmbëdhjetë shtetasit e Serbisë, anëtarë të ekuipazhit të anijes “Diamond Princess” në Japoni, janë testuar pozitiv ndaj koronavirusit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë është duke punuar për të marrë informacione se kur do të zbarkojnë dhe në cilin spital do të strehohen, tha sot ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç.
Ai u informua për këtë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Japonisë, dhe bëhej fjalë për S.O. (29) dhe M.T. (30).
“Ambasada e Serbisë në Japoni është në kontakt të vazhdueshëm me ta. Të gjithë qytetarët tanë në këtë anije kanë numrat e telefonit të ambasadës sonë në Japoni, si dhe një numër telefoni celular që mund të telefonojnë 24 orë, ndërsa u është thënë se nëse vendosen në spital duhet të kërkojnë të kontaktojnë ambasadën”, tha Daçiç.
Ai po ashtu tha se grupi i fundit i udhëtarëve të testuar pozitivisht ndaj virusit ishte vendosur në një spital të sapohapur rreth 300 kilometra larg Tokios, afër Nagoya, ku ka lidhje interneti, ashtu që ekziston mundësua që dy shtetasit serb të mund të vendosen në atë spital, nëse ka kapacitete.