Fillimi LajmeDeçan, gjendje stabile e pacientëve të helmuar

Deçan, gjendje stabile e pacientëve të helmuar

nga Shekulli Agency

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Komunën e Deçanit, në rajonin e Pejës, po vazhdojnë të marrin trajtim shëndetësor pacientë të cilët po paraqiten me simptoma të njëjta helmimi nga dita e diel, prej kur janë helmuar mbi 1.500 qytetarë të kësaj zone.

Megjithëse të martën kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, shpalli gjendje emergjente, situata në QKMF është e menaxhueshme.

Pacientët me simptoma të helmimit tash e katër ditë vijnë në QKMF për të kërkuar trajtim shëndetësor, marrin infuzione dhe lirohen për në shtëpi, derisa arsyet e helmimit të tyre mbesin ende të paqarta për autoritetet shëndetësore të vendit.

Shaqir Hysenaj nga Deçani tha për AA se tash e dy ditë, djali i tij 17-vjeçar, Vetoni, po merr infuzion për shkak të helmimit.

Megjithatë, sipas tij, gjendja e të birit është stabile.

“Aktualisht djali është duke marrë infuzion edhe nesër pritet ta marrë një tjetër, është helmuar, por nuk po e dimë nga uji apo nga çka. Ai ka qenë duke punuar dje dhe në orën 10 në mbrëmje ka filluar të vjellë, kemi shkuar në Gjakovë dhe e ka marrë një infuzion dhe sot jemi në Deçan për një tjetër infuzion ndërsa e ka edhe një tjetër nesër”, thotë Hysenaj.

Edhe Hateme Kilaj nga fshati Beleg i Deçanit thotë se nuk ka dyshime mbi asgjë rreth helmimit të saj, ngase nga dita e paralajmërimit zyrtar nga komuna, nuk e ka përdorur për pije ujin lokal, por vetëm atë të blerë në shitore.

Ajo thotë se ka ngrënë darkë si zakonisht, ndërsa disa orë pas darkës kanë filluar t’i shfaqen simptomat e helmimit.

“Sot e lodhur jam, koka po më dhemb. Erdha të vaksinohem dhe më thanë se nuk mund të vaksinohem edhe dy apo tre ditë për arsye se kam pasur temperaturë dhe tani më duhet të pres deri në përmirësimin e gjendjes. Dyshime rreth helmimit nuk kam, ne jemi nga fshati Beleg dhe ujin nuk e kemi pirë prej të dielës, kur na kanë lajmëruar autoritetet komunale”, thotë ajo.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, Selmon Berisha, tha se gjendja shëndetësore e pacientëve është stabile ndërsa sipas tij, sot vërehet një rënie e numrit të pacientëve që po kërkojnë ndihmë këtu.

“Gjendja e pacientëve është e mirë dhe të gjithë pacientët që kanë ardhur për të marrë ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare tek ne ju është ofruar ajo, për momentin gjendja është nën kontroll dhe gjendja e të gjithë pacientëve të trajtuar është stabile”, tha ai.

Sipas tij, pacientët kanë ardhur kryesisht me simptoma: dhimbje koke, të vjella, diarre, temperaturë, por për të konfirmuar shkaktarët ende po punohet në analizat e pacientëve.

Berisha tha se të mërkurën ekipit shëndetësor në Deçan i është ofruar asistencë nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) e po ashtu, siç tha ai, janë inkorporuar të gjitha instancat shtetërore të cilat duhet të merren me këtë punë.

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nëpërmjet një konference për media tha se në QKMF në Deçan sot janë paraqitur rreth 120 pacientë me simptoma të helmimit, gjë e cila, sipas tij, përbën rënie të numrit të pacientëve.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur sot pasdite, e cila filloi me diskutim mbi situatën në Deçan, u tha se janë marrë të gjitha masat, përfshirë edhe dërgimin e një ekipi mjekësor për kontrollim në më shumë se gjashtë fshatra nga të cilët janë helmuar pacientët.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se një numër nga mostrat e pacientëve do të dërgohen për analizë edhe jashtë Kosovës, ndërkaq, është përmendur edhe ndarja e 150 mijë eurove për rregullimin e sistemit të ujësjellësit në këtë komunë.

Dyshimet jozyrtare të helmimit fillimisht u thanë se ka qenë uji i pijshëm, por pas analizave të ujit nga gjashtë fshatra të Deçanit nga ku u paraqitën pacientët, kreu i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), Naser Ramadani, tha se janë në kundërshtim me një konstatim të tillë.

Gjatë së martës, Ramadani tha se rezultatet nuk flasin për asnjë pistë të helmimit hidrik, por kjo sipas tij, nuk do të thotë se nuk ka mundësi që të ketë infeksione hidrike, megjithëse për një përgjigje përfundimtare rreth shkakut të helmimit duhet të pritet ende.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies