Vetëm një front unik, i përbërë nga bashkimi i të gjitha strukturave opozitare, do të jetë i mirëpritur për një shpëtim të ri nga struktura aktuale politike në vend. Kështu e vlerësojnë njohësit e çështjeve politike, iniciativën e Lëvizjes Besa për unifikim të opozitës.
Analisti politik, Fejzi Hajdari, tha se vetëm me një unifikim të këtij lloji, shqiptarët mund të ecin përpara, drejt avansimit të statusit të tyre duke shtuar se lidershipi politik shqiptar, duke parë pozitën tepër të vështirë në aspektin juridiko-politiko-kushtetues dhe social të shqiptarëve në Maqedoni, është dashur që moti të ndërmirret një hap i tillë.
“Mendoj se në rrethanat e krijuara, ku gjenden shqiptarët sot në Maqedoni, ku të gjithë kriteret dhe politika aktuale e qeverisjes i ka përplasur për tokë, idea e unifikimit është gjëja më e mirë, më e qëlluar, që mund t’iu ndodhë shqiptarëve këtu në Maqedoni. Vetëm me një unifikim me një bashkim të këtij lloji, përjashtoj këtu BDI-në, domethënë kur flas për politikën shqiptare nuk e përfshij këtu edhe BDI-në, mendoj se konsiderohet dhe është fajtorja kryesore, prandaj nuk e përmendi në këtë aspekt, sepse është fajtorja kryesore e pozitës diskriminuese dhe degraduese të shqiptarëve këtu”, deklaroi Hajdari.
Analisti politik, Mersel Bilalli, poashtu e përkrah këtë iniciativë. Ai tha se iniciativat e tilla duhet të vijnë nga çdokush, dhe se kjo është oferta e duhur e dhënë në kohën e duhur.
“Unë mendoj se iniciativa është bërë në kohën e duhur dhe objektivisht, pra, nuk ka alternativë tjetër për mposhtjen e strukturës së kriminalizuar e cila shumë i dëmtoi të gjithë qytetarët duke përfshirë edhe shqiptarët , përveç se një fronti unik ku do ta përbënin shumë struktura të cilat kanë pak kredibilitet, fundi fundit edhe moral që të ndeshen me këtë struktur, pra, të cilat nuk i janë vardisë gjithë kohën strukturës egzistuese, edhe atëherë kur nuk kanë qenë në të drejtë”, tha Bilalli.
Ndërkaq, dje Lëvizja BESA ka njoftuar se do të hapë një derë të re të bashkëpunimit opozitar. Kjo lëvizje prezenton ofertën për një platformë opozitare, që parashikon ndërtimin e një fronti të përbashkët opozitar me të gjitha forcat progresive në vend, që kjo strukturë e BDI-së, përfundimisht të largohet nga skena politike shqiptare në Maqedoni. E njejta iniciativë është përshëndetur edhe nga Lëvizja për Reforma në PDSH, si dhe Partia për Prosperitet Demokratik. Ndërsa pjesë e të njejtës nuk dëshiron të jetë edhe Rilindja Demokratike Kombëtare. /SHENJA/