Spanja dje ka përfunduar misionin e parë të evakuimit në Afganistan me një avion ushtarak që ishte në gjendje të marrë vetëm pak më shumë se 50 persona në aeroportin e Kabulit, transmeton (AA).
Avioni ushtarak spanjoll i tipit ‘A400’ që fluturoi për në Kabul ka një kapacitet prej rreth 110 pasagjerësh.
Mediat lokale raportuan se qeveria spanjolle tha se avioni do të kthehet sërish në Afganistan për të marrë një grup tjetër me shtetas spanjoll, si dhe njerëz të stafit lokal afgan dhe familjet e tyre për të cilët Spanja është zotuar se do të evakuohen.
Gazeta spanjolle ‘El Pais’ raportoi se në total Spanja do të përpiqet të shpëtojë deri në 600 njerëz nga Afganistani i kontrolluar nga talebanët.
Derisa persona të tjerë në listën e Spanjës akoma mbeten në aeroport, të tillë si disa punonjës të sigurisë, nuk janë dhënë detaje si autoritetet planifikojnë të shpëtojnë ata që do të duhet të kalojnë rrugën përmes pikave të kontrollit të talebanëve për të arritur në Aeroportin Ndërkombëtar ‘Hamid Karzai’.
“Siç duken gjërat, ne nuk do të jemi në gjendje të shkojmë. Nëse ata na telefonojnë dhe na kërkojnë të shkojmë në aeroport, ajo do të jetë e pamundur”, tha një përkthyes afgan për ‘El Pais’, që punoi me Spanjën.
“Ne nuk mund të rrezikojmë jetën e familjeve tona”, theksoi ai.
Një avion tjetër i tipit ‘A400’ po pret lejen për të fluturuar nga Dubai në Kabul, ndërsa një avion mjekësor nga Spanja është nisur dje për të ndihmuar në misionin e shpëtimit.
