
Ushtruesi i detyrës kryeministër i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar prolongimin e votimit për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL për vitin e ardhshëm, transmeton AA.
Qeveria e Kosovës njoftoi se duke marrë parasysh rrethanat e krijuara, Haradinaj bazuar në kompetencat e tij si kryeministër në detyrë dhe nga rekomandimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka kërkuar prolongimin e votimit të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL për vitin e ardhshëm.
Kosova kishte aplikuar për pranim në janar të këtij viti dhe kërkesa ishte pranuar nga Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate.
Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL-it, e cila ka filluar punimet sot në Kili që do të zgjasin deri më 18 tetor, ua kishte dërguar ftesat zyrtarëve të Kosovës për të marrë pjesë në takimin vjetor të 88 vendeve të kësaj organizate.
Për anëtarësim në këtë organizatë Kosova që nga viti 2015 është refuzuar tre herë dhe zyrtarët në Prishtinë ia kanë atribuuar dështimin fushatës së ashpër të Serbisë kundër kandidaturës së Kosovës.
Pas dështimit të vitit të kaluar për t’u anëtarësuar në INTERPOL, qeveria e Kosovës imponoi taksë 100 për qind ndaj importeve të mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, masë e cila ende është në fuqi.