Fillimi JavaShqipëria me masa të reja kundër COVID-19, kufizohet lëvizja e lirë nga e mërkura

Shqipëria me masa të reja kundër COVID-19, kufizohet lëvizja e lirë nga e mërkura

nga Shekulli Agency

Komiteti Teknik i Ekspertëve në Shqipëri ka vendosur për zbatimin e masave të reja kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), ndërkohë në 24 orët e fundit në vend janë shënuar shifra rekord të vdekjeve dhe rasteve të reja.

Drejtuesja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli, në një deklaratë për mediat tha se pjesë e masave janë kufizimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 06:00 në të gjithë vendin, me përjashtim të lëvizjes për motive pune, emergjenca shëndetësore apo nevoja të domosdoshme. Po ashtu pjesë e masave të reja është edhe ndalimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve nga ora 22:00 deri në orën 06:00, përveç shërbimit “delivery”.

Ajo tha se për administratën publike rekomandohet puna nga shtëpia, në zbatim të protokolleve të sigurisë. 

Masat e reja që vendosen pas rritjes së rasteve me koronavirus do të hyjnë në fuqi më 11 nëntor dhe do të zbatohen deri në 3 javë, ku më pas do të rishikohen çdo javë në varësi të situatës epidemiologjike në vend.

Rakacolli theksoi se masat e fundit që ndërmerren kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Duke iu bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat dhe rregullat e vendosura, ajo tha se “secili prej nesh e ka në dorë të frenojë përhapjen epidemisë”.

Në Shqipëri aktualisht janë në fuqi disa masa, si mësimi online në universitetet e vendit, ndalimi i grumbullimeve masive, si në teatro, në aktivitetet kulturore dhe sportive. 

Shënohet numër rekord i vdekjeve dhe rasteve të reja 

Në Shqipëri në 24 orët e fundit janë regjistruar shifra rekord, respektivisht 12 të vdekur dhe 525 raste të reja pozitive me COVID-19. 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka njoftuar se që nga fillimi i pandemisë numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirus në vend është rritur në 24.206 dhe numri i të vdekurve në 571.

Në orët e fundit janë shëruar 111 qytetarë, duke e rritur në 12.203 numrin e të shëruarve në vend, ndërsa raste aktive aktualisht janë 11.957. 

Institucionet shëndetësore në Shqipëri kanë kryer gjithsej 141.081 testime për personat e dyshuar me koronavirus që nga fillimi i pandemisë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies