Fillimi JavaShënohet përvjetori i masakrës së dytë në tregun e Sarajevës

Shënohet përvjetori i masakrës së dytë në tregun e Sarajevës

nga Shekulli Agency

Përmes një ceremonie, sot në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, u përkujtuan viktimat e masakrës së dytë ndaj tregut Markale gjatë luftë së Bosnjës, me rastin e 24-vjetorit të kësaj ngjarjeje, raporton AA.

Më 28 gusht të vitit 1995, në kohën e rrethimit të Sarajevës, forcat serbe sulmuan me mortajë për herë të dytë tregun Markale, duke shkaktuar 43 civilë të vdekur dhe 75 të plagosur.

Ceremonia përkujtimore filloi me leximin e emrave të viktimave, ndërsa të pranishëm ishin kryetari i Këshillit Presidencial të Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komsiç, kryetari i Bashkisë së Sarajevës, Abdullah Skaka, Ministri i Çështjeve të Veteranëve të Kantonit të Sarajevës, Ismir Jusko, të afërm të viktimave dhe qytetarë.

Pjesëmarrësit vendosën lule në përmendoren e viktimave dhe bënë lutje.

Në fjalën e tij, ministri Jusko tha se në katër muajt e fundit thuajse nuk ka pasur javë që nuk janë përkujtuar viktima civile.

“Sulmi që ndodhi në ditën e sotme para 24 viteve ishte masakra e fundit në Sarajevën e rrethuar. Kjo masakër mobilizoi NATO-n”, tha Jusko.

Ndërkaq, e mbijetuara e sulmit Amerisa Ahmetoviç tha se si pasojë e sulmit kishte humbur njërën këmbë.

“Isha 16-vjeçare. Ishte gjë e tmerrshme. Ishte një nga gjërat më të rënda që mund t’i ndodhë njeriut në jetë”, theksoi Ahmetoviç.

Po ashtu, Rasim Koso, dëshmitar i ngjarjes, tha se ajo që kishte parë kishte qenë e tmerrshme.

“Përreth mund të shihje krahë, koka”, tha Koso, duke treguar se edhe ai vetë kishte ngelur i plagosur nga sulmi, por një gjë të tillë nuk e kishte vërejtur menjëherë.

“Pashë se këmbët më ishin mbushur me gjak. Më vendosën në një automjet mbi dy gra të vdekura dhe më dërguan”, rrëfeu ai.

Ndryshe, sulmi i parë me mortajë nga ana e forcave serbe në tregun Markale ndodhi më 5 shkurt të vitit 1994, me çka 68 persona humbën jetën dhe u plagosën 144 të tjerë.

Gjatë rrethimit 44-mujor të Sarajevës, në mes të prillit të vitit 1992 dhe dhjetorit të vitit 1995, jetën humbën 11.541 persona, përfshirë afër dy mijë fëmijë.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies