Fillimi JavaProkuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për rastin e Ivanoviqit

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj gjashtë personave për rastin e Ivanoviqit

nga Shekulli Agency

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër gjashtë personave N.S., M.R., S.A., D.M., Z.J., R.B. për një numër të veprave penale lidhur me vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Sipas njoftimit të prokurorisë, ata akuzohen për veprat penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, “Keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje” dhe “Manipulim me prova, në bashkëkryerje”.

Sipas Prokurorisë bëhet fjalë për një grup kriminal të organizuar me strukturë dhe hierarki në grup “me role të përcaktuara formalisht, i cili grup kriminal nuk është formuar rastësisht por është duke vepruar nga viti 2011, të cilin e udhëheqin Z.V. dhe M.R.”

“Ky grup kriminal ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë”, “ Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë”, “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm në territorin e Republikës së Kosovës”.

Prokuroria njofton se secili nga të pandehurit “kanë kryer veprime inkriminuese-konkrete për grupin në fjalë, me ç’rast veprimtaritë e këtij grupit kriminal të organizuar kanë rezultuar me vrasjen tani të të ndjerit Oliver Ivanoviq, ku paraprakisht nga i njëjti grup i është djegur edhe vetura e tij”.

“Deri tek ngritja e kësaj aktakuze, janë ndërmarrë veprime të shumta procedurale-hetimore. Janë dëgjuar rreth njëqind dëshmitarë, tridhjetë prej të cilëve janë intervistuar nga prokurori i rastit, të tjerët nga hetuesit e rastit”.

Siç njofton Prokuroria “të pandehurit janë intervistuar më shumë se njëherë, ndërsa janë zgjeruar hetimet edhe ndaj dy të pandehurve M.M dhe Zh.B, të cilët gjenden në arrati dhe ndaj të njëjtëve është lëshuar urdhërarresti”.

“Nga shkresat e lëndës shihet se krerët e krimit të organizuar të cilët veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, kanë ndikim në Policinë e Kosovës, në komunat dhe në ndërmarrjet Publike të asaj pjese”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës, më 16 tetor të këtij viti kishte zhvilluar një operacion në Mitrovicën e Veriut me ç’rast kishte arrestuar dy persona dhe ka konfiskuar 6 armë, prej të cilave 2 zyrtare, por edhe pajisje të ndryshme elektronike dhe të tjera.

Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018 në Mitrovicën e Veriut para selisë së partisë së tij. Ai ishte kryetar i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies