Fillimi JavaPresidenti Thaçi udhëton të hënën drejtë Hagës për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale

Presidenti Thaçi udhëton të hënën drejtë Hagës për t’u intervistuar nga Prokuroria Speciale

nga Shekulli Agency

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se të hënën, 13 korrik, do të udhëtojë drejtë Hagës në Holandë për t’u intervistuar si i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në një shkrim në rrjetet sociale drejtuar qytetarëve, presidenti Thaçi ka thënë se dekadat e fundit shumë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të misionit ndërkombëtar – UNMIK, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, Misionit EULEX dhe me drejtësinë vendore.

Presidenti Thaçi ndaj të cilit Zyra e Prokurorit të Specializuar ngriti aktakuzë për krime lufte, tha se Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte, ndërsa “në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit”.

“Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi”, shkroi ai.

Tutje Thaçi theksoi se “uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Më 24 qershor të këtij viti, derisa presidenti Thaçi ishte nisur në një udhëtim drejtë Washingtonit në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e emisarit amerikan për dialogun Richard Grenell, ndaj tij dhe ndaj ish-kryeparlamnetarit Kadri Veseli Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës aktakuzë ku Thaçi, Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Konkretisht, për dy ish-udhëheqësit e lartë të UÇK-së, aktakuza pretendon se janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”, ndërsa këto krime, sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies