
Me dyshimet për varrezë masive kanë nisur sot në mëngjes gërmimet në Kampusin e Universitetit të Prishtinës, saktësisht në parkingun e Fakultetit të Arteve.
Instituti i Mjekësisë Ligjore së bashku me Prokurorinë Speciale dhe përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, kanë thënë se e kanë detyrë që kudo ku qytetarët thonë se mund të jetë vend ku ka mbetje mortore, të gjurmojnë për një gjë të tillë.
Prokurorja e Prokurorisë Speciale, Drita Hajdari, theksoi se në këtë vend ka pasur punime dhe gërmime edhe më herët por tani ka ardhur një dëshmi e re nga një qytetar i cili ka thënë se ka parë trupa të pajetë që janë varrosur në këtë pjesë.
“Ka pasur punime dhe gërmime edhe më herët gjithmonë në bazë të informacioneve të dëshmitarëve të ndryshëm për ekzistimin e mbetjeve mortore. Duke vepruar sipas informacioneve të tilla detyra e Prokurorisë është t’i verifikojë sepse ne gjithmonë kemi parasysh që shumë familjarë në Kosovë janë duke pritur ndonjë lajm, ndonjë zbulim për të pagjeturit”, tha Hajdari.
Ndërkaq, kreu i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Jahja Lluka, tha se se shpresojnë që të gjejnë mbetje mortore në këtë vend në mënyrë që së paku disa nga familjarët e personave të zhdukur “të kenë një varr dhe të dinë ku i kanë të dashurit e tyre”.
“Dhashtë Zoti që të jemi të suksesshëm, nuk është fjalë adekuate për arsye se po kërkojmë mbetje mortore, mirëpo e thash edhe njëherë, mirë është që eventualisht të kemi gjetje dhe më në fund edhe dikush prej familjarëve ta zgjidhë problemin apo ta ndërpret ankthin e vet 20 vjeçar”, tha Lluka.
Tri vite më parë, më saktësisht më 28 korrik të vitit 2016, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pati njoftuar se kishte përfunduar një operacion i kërkimit të varrezave masive që dyshohej se gjendeshin në Kampusin universitar të UP-së. Në atë kohë, sipas Prokurorisë Speciale, gjatë gërmimeve në tri lokacione të ndryshme nuk është gjetur as varrezë masive, as ndonjë mbetje mortore.
Institucionet e Kosovës ende janë në kërkim të 1.647 personave të tjerë të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, përfshirë mbi 1.000 shqiptarë rreth 500 serbë dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera.