
Në Liban është mbajtur protestë ndaj një televizioni në të cilin prezentuesi me origjinë armene Neshan Der Haroutian ka përdorur shprehje fyese kundër Turqisë.
Reagimet nga një pjesë e madhe në Liban erdhën pasi prezentuesi i New TV, Haroutian, mbrëmë në një transmetim të drejtpërdrejtë përdori shprehje me përmbajtje fyese kundër Turqisë.
Pasi fillimisht u shfaqën reagime në rrjetet sociale nga mbrëmë, sot në kryeqytetin Bejrut para qendrës së televizionit dhe qytetin verior Trablussham u organizuan protesta.
Protestuesit brohoritën parulla në mbështetje të Perandorisë Osmane, Turqisë dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se prezentuesi në fjalë po krijon përçarje në unitetin kombëtar të Libanit përmes shtetit vëlla turk dhe historisë së muslimanëve.
Protestuesit mbanin flamuj të Turqisë dhe Libanit në tubimin para kanalit televiziv, duke kërkuar që të kërkohet falje nga Turqia për shprehjet skandaloze.
Më pas, dhjetëra të rinj libanezë përfunduan demonstrimin mbështetës përmes tureve me motoçikleta dhe makina.
Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Yavuz Selim Kıran, shpërndau protestën në median sociale, duke u shprehur:
“Mbrëmë, një i gjorë në një kanal në Liban, u përpoq të shprehet në mënyrë të papranueshme në lidhje me Turqinë dhe presidentin tonë. Sot, para kanalit të njëjtë televiziv, populli libanez bëri reagimin e duhur ndaj kësaj mungese të edukatës”.
Më herët, avokati libanez Muhamed Zijad Xhafil njoftoi se ka ngritur kallëzim penal ndaj Der Haroutian për shprehet skandaloze.
“Përmes shprehjeve fyese kundër Turqisë vëllazërore në një program në një kanal lokal, Der Haroutian nxiti përçarje sektare kundër unitetit kombëtar të Libanit”, tha Xhafil.
Prezentuesi me origjinë armene mbrëmë në një program ku i ftuar ishte lideri i Partisë së Unitetit Arab dhe ish-ministri i Mjedisit, Wiam Wahhab, përdori shprehje me përmbajtje fyese kundër Perandorisë Osmane dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan.