Fillimi JavaKosova duhet të kërkojë kompensim për dëmet të shkaktuar nga Serbia

Kosova duhet të kërkojë kompensim për dëmet të shkaktuar nga Serbia

nga Shekulli Agency

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA) prezantoi sot dy studime, një mbi çështjen e Trepçës në kontekstin e “Finales së Madhe” (Dialogut Kosovë-Serbi) dhe një studim mbi çështjen e reparacionit për krimet e luftës të kryera në Kosovë.

Nga ky Institut, ekonomisti Iraj Hashi, i cili shpalosi historikun e ndërmarrjes Trepça, tha se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për dëmet e shkaktuara gjatë kohës që e menaxhonte këtë kompani.

Sipas tij, një nga gjërat më të dëmshme që ka bërë Serbia në Kosovë është ndërrimi i pronësisë së Trepçës në vitet e 90-ta, kur pasuritë e kompanisë u bartën tek disa kompani private që lidheshin me Novak Bjelic, menaxherin e emëruar në vitin 1995, bashkëpunëtor i ish-presidentit nacionalist serb Sllobodan Millosheviq. 

“Serbia duhet t’i pranojë përgjegjësitë për periudhën kur ka qenë në krye të Trepçës. Ata nuk mund ta anashkalojnë përgjegjësinë dhe të flasin për të si diçka që ka ndodhur në të kaluarën. Ajo ka ndodhur me kryesimin e tyre dhe ata kanë përgjegjësi për të. Kosova ka përgjegjësi çfarë ka ndodhur më herët dhe më pas, por, jo përgjatë viteve të 90-ta kur Serbia ka marrë përgjegjësitë e menaxhmentit të Trepçës”, tha Hashi, duke shtuar se resurset e Trepçës duhet të menaxhohen nga Kosova dhe Serbia. 

Hulumtuesi nga ky institut, Qerim Qerimi tha se Kosova duhet të kërkojë kompensim për dëmet materiale dhe njerëzore të shkaktuar nga Serbia gjatë viteve të 90-ta.

Ai tha se qëndrimi i Kosovës në dialog me Serbinë duhet të jetë pretendues për “kthimin e pronës së dëmtuar, përfshirë objektet private dhe publike, dëmshpërblime me kompensim materiale e jo-materiale”.

“Kosova mund dhe duhet të insistojë në një kërkimfalje formale nga Republika e Serbisë, përmes një deklarate të qartë për pranimin e fajit për krimet e kryera në Kosovë qoftë të paraqitura publikisht nga kreu i shtetit serb ose të përfshirë në një dispozitë të marrëveshjes përfundimtare. Dhe, së fundi garancionet e mospërsëritjes. Duke marrë parasysh aspektet historike veçanërisht përvojën gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, Kosova mund të kërkojë edhe marrjen e garancioneve formale nga Republika e Serbisë për mospërsëritjen e shkeljeve ose keqbërjeve të kaluara, që njëkohësisht do të mund të paraqisnin edhe njohje (të Kosovës nga Serbia) dhe pranim të fajit”, tha Qerimi.

Kujtojmë se Trepça ishte ndërmarrja më e madhe me pronësi shoqërore në Kosovë, një eksportuese e madhe dhe një burim i rëndësishëm fitimi nga valuta të huaja në ish-Jugosllavi. Deri në fund të viteve të 80-ta kompleksi Trepça përbëhej nga 21 njësi të njohura si OTPA (secila minierë, metalurgji, fabrikë etj., ishte një OTPA – Organizata Themelore e Punës së Asociuar). 

Dekada e 1989-1999 u përcoll me rënie të vazhdueshme të Trepçës, përfshirë përkeqësimin e situatës ekonomike e financiare të saj.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies