
Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA) njoftoi për raketën e testuar dje në mëngjes.
Thuhet se raketa e testuar ishte “raketë balistike me rreze të gjatë veprimi” e tipit Hwasong-12.
Gjithashtu theksohet se testimi, i cili u krye drejt ujërave të Detit të Japonisë (Detit Lindor) me “sistemin e lëshimit me kënd më të lartë në rajonin veriperëndimor të vendit”, u krye “duke marrë parasysh sigurinë e vendeve fqinje”.
Rodong Sinmun, gazeta kombëtare e afërt me Partinë e Punëtorëve në pushtet (WPK), publikoi fotografi të raketës që po testohej.
Ndërkaq, nuk u dha asnjë informacion nëse lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka përcjellë testimin.
Sipas Ministrisë japoneze të Mbrojtjes, raketat Hwasong-12 me një rreze veprimi prej 5.000 kilometrash mund të arrijnë gjithë Japoninë dhe ishullin amerikan Guam në Paqësorin perëndimor.
– 7 testime brenda 30 ditëve
Koreja e Jugut njoftoi se raketa kalonte 800 kilometra për 30 minuta në drejtim të Detit të Japonisë në një lartësi prej 2.000 kilometrash nga Koreja e Veriut dhe njoftoi se Pheniani “testoi raketën me rreze më të gjatë veprimi” pas vitit 2017.
Me testimin e fundit, thuhet se Koreja e Veriut kreu shtatë prova raketore në janar.
– Reagimet
Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut konfirmuan në një deklaratë se raketat u lëshuan nga rajoni Jagang i Koresë së Veriut në drejtim të Detit të Japonisë në orën 07:52 me orën lokale.
Forcat amerikane të Indo-Paqësorit (INDOPACOM), nga ana tjetër, bënë një deklaratë në lidhje me testin, duke dënuar Korenë e Veriut dhe duke i kërkuar asaj që të shmangë “aktivitetet destabilizuese”.
“Edhe pse ne konsiderojmë se ky rast nuk përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për personelin amerikan, rajonin dhe aleatët e tij, ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën”, thuhet në deklaratë.
Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in, i cili mbajti një fjalim në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha se dënojnë “eksperimentin që rrezikon paqen dhe stabilitetin e Gadishullit Korean”.