
Dioqeza katolike në shtetin New Jersey të SHBA-së do të paguajë gjithsej 87.5 milionë dollarë si kompensim për viktimat e abuzimit seksual në kishë.
Dioqeza e Camden, e cila mbulon gjashtë qarqe të New Jersey-t, u pajtua për një marrëveshje me prokurorët ndërsa mediat lokale raportuan se marrëveshja i është dorëzuar gjykatës kompetente për miratim.
Sipas marrëveshjes, dioqeza do të paguajë dëmshpërblim në shumën totale prej 87.5 milionë dollarë për afro 300 viktima të ngacmimeve seksuale në kishë.
“Dëshiroj të shpreh kërkimfaljen time të sinqertë për të gjithë ata që janë prekur nga abuzimi seksual në dioqezën tonë. Ky kapitull i tmerrshëm në historinë e Dioqezës së New Jersey-t në Camden nuk do të përsëritet kurrë”, tha peshkopi Dennis Sullivan në një deklaratë me shkrim.
Ai shtoi se marrëveshja, nëse miratohet nga gjykata, do të jetë shuma më e madhe e kompensimit për paditë për shkak të ngacmimeve seksuale në kishat katolike në SHBA.