
Shefi i Kryesisë së Komunikimeve pranë Presidencës së Türkiye-s, Fahrettin Altun, tha se terrorizmi digjital është një çështje e sigurisë kombëtare dhe marrja e masave kundër tij është përgjegjësi, e jo një zgjedhje për shtetin.
Përveç “sulmeve fizike”, Türkiye po përballet edhe me “sulme dezinformuese” nga grupe terroriste si YPG/PKK dhe FETO, tha Altun në seminarin e Mediave të Reja dhe Terrorizmit Digjital të mbajtur në Ankara.
“Profilet që mbështesin organizatat terroriste shpërndajnë sistematikisht dezinformata kundër vendit tonë në platformat e mediave sociale dhe përpiqen të mobilizojnë opinionin publik vendas dhe të huaj kundër Türkiye-s”, tha ai.
Altun gjithashtu u shpreh se këto grupe terroriste përdorin mediat digjitale për propagandë, indoktrinim dhe komunikim, si dhe për rekrutimin e simpatizantëve dhe militantëve.
“Terrorizmi digjital është një çështje e sigurisë kombëtare dhe çdo shtet duhet të zbatojë mekanizmat e nevojshëm të mbrojtjes dhe parandalimit kundër kërcënimeve në botën digjitale”, tha Altun.
“Marrja e masave paraprake kundër terrorizmit dhe krimeve të ngjashme që mund të lindin në botën digjitale nuk është një zgjedhje e shtetit apo një mekanizëm për të kontrolluar shoqërinë. Këto masa janë përgjegjësi e shtetit ndaj qytetarëve të tij”, theksoi ai.