Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka ulur parashikimet e saj për ekonomitë në zhvillim ku ajo investon pasi pasojat e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) do të zgjasin më shumë sesa pritej më parë.
Në një njoftim BERZH tha se këtë vit ekonomitë mund të tkurren me 3.9 për qind për shkak të nivelit të lartë të pasigurisë. Vitin e ardhshëm, sipas BERZH-it, pritet që ekonomitë të rriten me 3.6 për qind.
Parashikimi i mëparshëm tregoi një rënie prej 3.5 për qind për vitin 2020 dhe një rritje prej 4.8 për qind në vitin 2021.
Shefja e çështjeve ekonomike të BERZH-it, Beata Javorcik tha se prodhimi në rajonet e bankës u ngushtua ndjeshëm në tremujorin e dytë të këtij viti, respektivisht me 8.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë.
“Shpejtësia e rimëkëmbjes pritet të jetë e ngjashme me atë të vëzhguar pas kësaj krize, me nivelet para-pandemike të prodhimit të brendshëm bruto (PBB) duke u kthyer drejt fundit të vitit 2021”, tha Javorcik.
Duke theksuar se ekonomitë e BERZH-it kaluan një presion mbi kërkesën dhe ofertën për shkak të masave kundër koronavirusit, ajo tha se goditjet e jashtme përfshinin çmime të ulta të mallrave, tkurrje të eksporteve, kolaps në turizëm dhe rënie të remitancave.
Sipas raportit të BERZH-it, ekonomitë e varura nga burimet e jashtme të të ardhurave, si Shqipëria, Kroacia, Qiproja Greke, Greqia dhe Mali i Zi, pritet të regjistrojnë tkurrjen më të madhe këtë vit. Raporti theksoi se këto vende këtë vit humbën pjesën më të madhe të sezonit të tyre turistik.
Banka evropiane qëndroi e pandryshuar në parashikimin për ekonominë turke, e cila pritet të tkurret me 3.5 për qind në vitin 2020, pas rënies së kërkesës së jashtme që çoi në një kolaps të eksporteve.
Sipas raportit, rritja e PBB-së së Turqisë parashikohet të shkojë në 5 për qind në vitin 2021.
