
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi se banka të caktuara ruse do të hiqen nga sistemi SWIFT i cili siguron transferta ndërkombëtare të parave.
Në një deklaratë Von der Leyen tha se “Do të paralizojmë asetet e Bankës Qendrore të Rusisë. Kjo do të ngrijë transanksionet e saj dhe do ta bëjë të pamundur që ajo të likuidojë asetet e saj”.
Duke njoftuar se do të punojnë për të ndaluar që oligarkët rusë të përdorin asetet e tyre financiare në tregjet e Bashkimit Evropian, Von der Leyen tha se bankat e caktuara ruse do të hiqen nga sistemi SWIFT i cili siguron transferta ndërkombëtare të parave.
Edhe më parë janë vendosur sanksione ndaj 64 institucioneve të rëndësishme ruse, ku bankave të BE-së u ndalohet të pranojnë depozita në sasinë mbi 100 mijë euro nga qytetarët rusë si dhe ndalohet dërgimi i mallrave, shërbimeve dhe teknologjisë së nevojshme për rafineritë e naftës në Rusi.