Shekulli Agency
Në mbarë Francën dje kanë vazhduar protestat anti-qeveritare të lëvizjes “Jelekët e Verdhë”, ndërsa policia arrestoi të paktën 43 protestues.
Autoritetet franceze kanë ndaluar mbajtjen e protestave në disa qytete për shkak të trazirave të mëparshme dhe kufizuan qasjen në avenynë Champs-Elysees në qendër të Parisit.
Megjithatë, demonstruesit marshuan sërish në Paris duke vazhduar të ushtrojnë presion ndaj presidentit Emmanuel Macron për të bërë më shumë dhe për të ndihmuar klasën punëtore, të ndryshojë politikën franceze ose të tërhiqet.
Dje protestat u mbajtën në Ruan, Lille dhe në pjesën lindore të Parisit, në Place de la Republique.
Gjatë protestave pati fërkime në mes të demonstruesve dhe policisë, me ç’rast të paktën 43 demonstrues u arrestuan.
Në total 8 demonstrues, përfshirë udhëheqësin e “Jelekëve të Verdhë” Eric Butte, janë akuzuar për përpjekje për të organizuar protesta dhe trazira në Paris.
Ministria e Brendshme franceze njoftoi se në protestat e së shtunës morën pjesë rreth 22.300 protestues ndërsa organizatorët e protestave thonë se në protesta dolën 73.420 persona.
Protestat e lëvizjes “Jelekët e Verdhë” filluan në nëntor të vitit të kaluar për çmimet e karburantit dhe shpejt u përhapën në protesta më të gjera anti-qeveritare. Në trazirat në rrugë, jetën e kanë humbur të paktën 11 persona ndërsa të paktën 2.000 të tjerë janë plagosur.
Gjatë protestave të paktën 8.400 protestues u arrestuan ndërsa 2.000 të arrestuar ende mbahen në paraburgim.
Jamal Khashoggi, gazetar dhe kolumnist i rregullt i “The Washington Post”, që u vra më 2 tetor të vitit të kaluar në konsullatën saudite në Stamboll, ishte duke përgatitur një libër për vizionin e ri të Arabisë Saudite të frymëzuar nga sistemi amerikan.
E përditshmja amerikane shkruan se Khashoggi disa muaj para vrasjes ka qenë i angazhuar në punën e tij rreth librit për reforma në Arabi Saudite, të njohura si “hapja e syve”.
Në kolumnën e David B. Ottoway, theksohet se Khashoggi planifikonte që libri të quhet “Një SHBA për Sauditët” ose “Amerika e Thjeshtësuar për Sauditët”.
Plani ka qenë që me një qasje të thjeshtësuar t’u shpjegonte lexuesve sauditë por edhe arabëve në përgjithësi mbi jetën amerikane. Fokusi ka qenë planifikuar të vendoset mbi arsimin, reformën e arsimit, dhe kontrollin e fondeve publike.
Khashoggi, kontribues i gazetës “The Washington Post”, u vra në Konsullatën Saudite në Stamboll më 2 tetor të vitit të kaluar.
Pas shpjegimeve të ndryshme kontradiktore, Rijadi pranoi se ai u vra brenda ndërtesës së konsullatës, duke thënë se vrasja ishte kryer jashtë zinxhirit të komandës.
Turqia ka kërkuar ekstradimin e shtetasve sauditë të përfshirë në vrasje dhe llogaridhënie më të plotë nga Rijadi.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Begjet Pacolli, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian (BE) që “ta disiplinojë” në të ardhmen Serbinë, duke thënë se ajo ka bërë thirrje shoviniste kundër Kosovës në Samitin Digjital të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Duke folur në një konferencë për media, Pacolli tha se në samitin ku u nënshkrua marrëveshja e Roamingut për vendet e Ballkanit Perëndimor, Serbia i theu të gjitha rregullat në mënyrë të organizuar duke bërë thirrje shoviniste kundër Kosovës.
“Serbia ka thyer secilën marrëveshje për të cilën është pajtuar vet. Sot ka provuar në mënyrë të organizuar, duke thyer secilën rregull gjatë mbajtjes së panelit të ministrave të Ballkanit Perëndimor, i moderuar nga sekretarja e përgjithshme e RCC (Këshilli për Bashkëpunim Rajonal), Majlinda Bregu. Gjatë këtij sesioni, organizatorët ndalojnë mikrofonat dhe i kalojnë fjalën dikujt nga publiku i cili bën thirrje shoviniste kundër Kosovës. Në të njëjtën kohë, thirrjet shoviniste kundër Kosovës shfaqen nga organizatori në ekranin e madh para panelistëve. Ky është një fakt që tregon që e tërë ngjarja ka qenë e orkestruar nga nikoqirët, që në këtë rast janë Republika e Serbisë”, tha Pacolli.
Për të mos ndodhur gjëra të tilla në të ardhmen, Pacolli kërkoi nga BE-ja që, siç tha ai, ta disiplinojë Serbinë.
“Ftojmë Bashkimin Evropian ta disiplinojë Serbinë në të ardhmen, përndryshe, Kosova nuk mund të jetë partnere, nuk mund të jetë e pranishme në konferenca të këtij lloji. E ftojmë BE-në të sqarojë pozicionin e vet ndaj këtyre agresioneve të cilat i ndodhin Kosovës pothuajse çdo ditë”, tha Pacolli.
Pacolli në këtë konferencë për media gjithashtu ka prezantuar turneun e tij treditor zyrtar në Afrikë, mes datave 1-3 prill, duke thënë se ka takuar zyrtarë mjaft të rëndësishëm. Ai tha se Kosova ka nevojë për miq dhe se partneriteti me shtetet e botës është mjaft me rëndësi.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) tha se ka transferuar një nga dy avionët F-35 të dedikuara për Turqinë në Bazën Ajrore Luke në Arizona.
Duke folur për Anadolu AA, zëdhënësi i Pentagonit Eric Pahon tha se “një avion tjetër do të dërgohet nesër”.
Ai përsëriti shqetësimet e SHBA-së lidhur me blerjen e Turqisë të sistemit raketor S-400 nga Rusia.
Lidhur me trajnimin e pilotëve turq në bazën e Arizonës, Pahon tha se ende nuk ka ndonjë ndryshim dhe se “trajnimet do të vazhdojnë”.
Dy F-35 të dorëzuara tashmë Turqisë gjenden aktualisht në Bazën Ajrore Luke në Arizona, ku pilotët janë duke u trajnuar. Avionët janë caktuar të transferohen në Turqi në muajin nëntor.
Një zëdhënës tjetër i Pentagonit tha se pilotët turq do të vazhdojnë trajnimin mbi F-35 në Arizona megjithë vendimin e Pentagonit për të pezulluar dorëzimin e pjesëve.
Turqia u bë pjesë e Programit të Përbashkët Luftarak F-35 në vitin 2002 dhe ka investuar më shumë se 1,25 miliardë dollarë. Ajo gjithashtu prodhon pjesë të ndryshme të avionëve për të gjitha variantet e F-35 dhe konsumatorët.
Vendimi i Turqisë për të blerë sistemin rus S-400 ka çuar në tensione me Washingtonin, i cili në fillim të javës pezulloi ofrimin e pjesëve dhe shërbimeve të nevojshme për Turqinë për pranimin e avionëve luftarakë F-35.
Zyrtarët amerikanë kanë sugjeruar që Turqia duhet të blejë sistemin raketor amerikan Patriot në vend të sistemit rus S-400, duke argumentuar se ai nuk përputhet me sistemet e NATO-s dhe ekspozon avionin F-35 ndaj mashtrimeve të mundshme ruse, duke përfshirë përpjekjet e fshehta për të marrë informacione kritike mbi avionin, që më pas mund të përcillen në Rusi.
Në përgjigje të pozicionit të SHBA-së se sistemi raketor S-400 është i papajtueshëm me pajisjet ushtarake të NATO-s, ministri i Jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu dje tha se sistemi do të shërbejë vetëm për përdorim të Turqisë.
“Nuk duhet të integrohet në sistemin e NATO-s dhe ky nuk është qëllimi ynë. Është për përdorim vetjak. Ky sistem nuk do të konsiderojë si armik asnjë sistem të NATO-s, përfshirë avionin F-35”, ka thënë kryediplomati turk.
Rreth 400 emigrantë të parregullt që strehoheshin në rrugë dhe poshtë urave të Parisit u zhvendosën në qendrat e strehimit me një operacion të kryer nga ana e policisë.
Sipas lajmeve në shtypin francez, mësohet se një operacion “evakuimi” është kryer ndaj kampit ku qëndronin rreth 400 emigrantë të parregullt në lagjen La Chapelle të Parisit.
Në kuadër të operacionit emigrantët nga Sudani, Eritrea dhe Afganistani janë dërguar me autobusë në qendrat e strehimit.
Zyrtarët edhe më parë kanë kryer dhjetëra operacione evakuimi në Paris duke i dërguar emigrantët nëpër qendrat e strehimit të përkohshëm. Në Paris mijëra emigrantë të parregullt, vazhdojnë jetesën nëpër barake dhe çadra tendë të improvizuara.
Qeveria franceze përveç keqtrajtimit që pësojnë emigrantët dhe refugjatët e parregullt në vend kritikohet edhe për shkak të vendosjes në kampe të përkohshme të refugjatëve dhe për largimin e tyre pas një kohe të shkurtër.
Ministrja e Tregtisë së Turqisë, Ruhsar Pekcan, tha se Turqia ka arritur shifrën më të lartë të eksportit në historinë e saj në tremujorin e parë të vitit 2019, duke arritur në 44 miliardë e 567 milionë dollarë.
Ministrja Pekcan në konferencën për media njoftoi shifrat e tregtisë së jashtme të vendit për muajin mars.
Ajo tha se sipas Sistemit të Përgjithshëm të Preferencave (SPP), eksporti i Turqisë në mars ka shënuar rritje prej 0,5 për qind duke arritur në 16 miliardë e 334 milionë dollarë. Sipas saj, kjo shifër është rekord për muajin mars.
Pekcan theksoi se eksporti i vendit sipas Sistemit të Veçantë të Tregtisë është 15 miliardë e 488 milionë dollarë.
Ministrja turke e Tregtisë njoftoi se importi në muajin mars ka pësuar rënie prej 17,81 për qind duke arritur në shifrën 18 miliardë e 299 milionë dollarë.
Në llogaritjen e statistikave të tregtisë së jashtme përdoren dy metoda të ndryshme: Sistemi i Përgjithshëm i Preferencave dhe Sistemi i Veçantë i Tregtisë.
Llogaritjet e bazuara në sistemin e tregtisë së veçantë nuk përfshijnë zonat e lira dhe depot doganore.
Komisioni i Lartë Zgjedhor i Turqisë (YSK) solli vendim për rinumërimin e fletëvotimeve të pavlefshme nga zgjedhjet lokale të së dielës në 7 rrethe të Stambollit, raporton AA.
YSK në seancën e jashtëzakonshme shqyrtoi ankesat e parashturara dhe vendosi të rinumërojë fletëvotimet në 7 rrethe të cilat në fazën paraprake u shpallën të pavlefshme.
Rinumërimi do të bëhet në qendrat e votimit në rrethet Sile, Bayrampasa, Atasehir, Umraniye, Fatih dhe Gaziosmanpasa.
Fillimisht pas ankesës së Partisë në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), YSK në nivel të rrethit solli vendim për rinumërimin e këtyre fletvotimeve, por pas ankesës së Parisë opozitare Republikane Popullore (CHP) rinumërimi u pezullua me vendim të Komisionit zgjedhor në nivel provincial.
YSK sot solli vendimin përfundimtar, sipas të cilit fletëvotimet në fjalë do të rinumërohen.
Paria AK dje dorëzoi ankesa ndaj rezultateve zgjedhore në gjithsej 39 rrethe të Stambollit.
Votuesit në Turqi të dielën votuan për kryebashkiakë në qytetet e mëdha, kryetarë komunash dhe këshillat e përgjithshëm provinciale dhe të qytetit. Po ashtu u votua edhe për instancat më të ulëta të pushtetit lokal në Turqi.
Në total 12 parti politike morën pjesë në zgjedhje ku qytetarët turq zgjdhën pushtetin lokal për një mandat 5 vjeçar.
Garë e pasigurtë për postin e kryebashkiakut u zhvillua në Stamboll. Sipas rezultateve paraprake, kandidati i CHP-së Ekrem Imamoglu kryeson me 48,79 për qind të votave para kandidatit të Partisë AK Binali Yıldırım i cili mori 48, 51 për qind të votave.
Senati federal i Australisë votoi censurën për senatorin e pavarur Fraser Anning për komentet pas sulmeve terroriste ndaj xhamive Al-Noor dhe Linwood në Christchurch të Zelandës së Re.
Në seancën e sotme të Parlamentit u diskutua rreth komenteve të senatorit Anning të bëra pas sulmit terrorist në të cilin jetën humbën të paktën 50 njerëz dhe që nxiti reagime nga mbarë bota.
Mathias Cormann, senator i Partisë Liberale tha se është shumë e rëndësishme që Parlamenti të jetë unik dhe të dënojë komente të tilla të tmerrshme.
“Komentet e senatorit Anning ishin të shëmtuara dhe shkatërruese. Deklaratat e tij janë të rrezikshme dhe të papranueshme, posaçërisht për dikë që është anëtar i Senatit”, ka thënë Cormann.
Penny Wong, nga Partia Punëtore tha se ka një dallim në mes të lirisë së shprehjes dhe gjuhës së urrejtjes dhe se senatori ka mbajtur fjalim të urrejtjes. Ai theksoi se senatori akuzoi viktimat derisa njerëzit po merrnin veten nga tronditja.
“Të plagosurit ende ishin në kurim ndërsa ky senator u përpoq të ndezë zjarrin e ndarjes. Me të vërtetë një akt i turpshëm dhe i shëmtuar”, tha Wong.
Annin gjatë adresimit në Senat tha se nuk kishte për qëllim viktimat dhe refuzoi të kërkojë falje. Ai konsideron se akuzat janë të pakuptimta se ka patur për qëllim viktimat.
Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve (Pentagon) njoftoi se ka ndaluar dërgesat në lidhje me avionët dhe aktivitetet përgatitore për dy avionët F-35 të planifikuar për t’u dërguar në Turqi në nëntor.
Zëdhënësi i Pentagonit, Charles E. Summers, në lidhje me çështjen ka bërë të ditur se kanë hedhur një hap të ri në lidhje me çështjen e programit të F-35 ku edhe Turqia është partnere.
“SHBA, është treguar e qartë se blerja e sistemit S-400 nga Turqia është e papranueshme. Për këtë arsye, Departamenti i Mbrojtjes mori hapat e nevojshëm në drejtim të masave për planifikimin e programit dhe fleksibilitetit të zinxhirit të furnizimit F-35. Aktualisht po punohet për furnizimin nga burime dytësore të pjesëve të prodhuara nga Truqia”, ka thënë Summers.
“Është për keqardhje që Turqia përballet me një situatë të tillë në programin e F-35”, tha Summers duke shtuar se “Departamenti ka hedhur këtë hap me qëllimin si masë për të mbrojtur investimet e përbashkëta të bëra në prodhimin e teknologjisë tonë kritike”.
“Dialogu ynë në këtë çështje të rëndësishme me Turqinë vazhdon. Por, SHBA ka pezulluar aktivitetet dhe dorëzimet në lidhje me aftësitë operacionale F-35 të Turqisë, derisa ajo të heqë dorë nga marrja e S-400. Nëse Turqia blen S-400 rrezikon pjesëmarrjen në programin e F-35”, thekson Summers.
Javën e kaluar në Senatin e SHBA-ve u paraqit projektligji i cili parashikon ndalimin e transferimit të avionëve luftarakë F-35 për Turqinë me arsyetimin se Turqia ka blerë sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia.
Turqia në qershor të vitit të kaluar mori pronësinë e dy avionëve F-35. Aktualisht avionët ndodhen në bazën ajrore Luke në Arizona të SHBA-ve dhe ishte planifikuar të dërgoheshin në Turqi në nëntor. Ndërsa edhe në javët e ardhshme pritet që nga Turqia të merret pronësia për dy avionët tjerë F-35.