Ribery: Ancelotti trajneri i duhur për mua

ribery-111Dëmtimet e shpeshta kanë kushtëzuar jo pak karrierën e tij gjatë këtyre viteve të fundit, por gjithsesi vetë Ribery beson se mund të jetë sërish ai i dikurshmi. Me një trajner si Carlo Ancelotti në krye të klubit bavarez, 32-vjecari mendon se mund t’i lërë pas të gjitha momentet e vështira.

“Ancelotti është një trajner i jashtëzakonshëm dhe një njeri i madh. Kam patur një takim me të por nuk është se kemi biseduar shumë. Megjithatë për të kam dëgjuar ka një raport shumë të mirë me futbollistët që drejton, dhe mendoj se Carlo është trajneri që më duhet për t’u rikthyer në nivelet e larta”.

Gjithsesi përpara se italiani të nisë aventurën e tij gjermane, Ribery me shokë kanë ende shumë për të fituar me Guardiolën në drejtim. Por francezi nga ana e tij mezi po pret momentin për të punuar me Ancelottin një trajner që ishte gatshëm të paguante 80 milionë Euro për të, për ta patur në skuadrën e tij në periudhën kur ishte në stolin e Chelsea-it.

“Fakti që dëshironte të më transferonte në Angli do të thotë që më vlerëson si futbollist. Gjithsesi edhe me Pep Guardiolën ndihem mirë, nuk është e vërtetë që ne të dy kemi patur probleme”.

Përsa i përket gjendjes së tij, Ribery nënvizoi se nuk është ende në 100% të formës por ka besim se me punë do të rikthehet ai i dikurshmi.

Shekulli Agency