El Clasico, Messi kërkon me çdo kusht rikuperimin

sh-messiLionel Messi ka hyrë në javën e katërt të dëmtimit dhe vazhdon të përballet me entuziazëm dhe optimizëm me periudhë e rehabilitimit. Objektivi madhor për yllin e Barcelonës është që të rikuperohet në kohë për El Clasicon me Realin e Madridit, më 21 Nëntor në “Santiago Bernabeu”.  Sulmuesi argjentinas ka edhe 25 ditë kohë në dispozicion dhe ecuria duket e mirë. Duke qenë se lëndimi i pjesshëm i ligamentit të gjurit është një dëmtim mjaft serioz Messi, ashtu si edhe stafi mjekësor i katalanëve po ndjekin me kujdes të gjitha etapat për rikuperimin.

Mjekët e ekipit “blaugrana” kanë përcaktuar afatet e plota për shërimin e lojtarit kryesor të Luis Enrique dhe sipas parashikimeve ai do të jetë pa probleme në fushë kundër Realit. Fakti më i rëndësishëm është se Messi po punon me objektivin të përcaktuar. Pranë lojtarit qëndrojnë fizeoterapisti i besuar, Luis Garcia dhe masazhatori Marcelo D’Andrea. Pas kalimit të dy fazave të para të rehabilitimit, sipas parashikimeve pritet që në fund të kësaj jave, ose maksimalisht në fillimin e javës tjetër, Messi të rifillojë vrapimet.

Shekulli Agency