Trajanovski: Shkupi u tregua mikpritës i shkëlqyer i Super Kupës së UEFA-s

Organizimin e ndeshjes së Super Kupës së UEFA-s në Shkup, kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski e vlerësoi si një përfitim të madh për qytetin në fushën e sportit, por edhe në fushën e turizmit. Ai tha se ky spektakël u organizua me sukses, raporton (AA).

“Qyteti i Shkupit u tregua si mikpritës i shkëlqyer. Ishim në atë nivel që kërkonte UEFA, duke i plotësuar të gjitha kërkesat e tyre me standardet e përcaktuara para nesh. Qyteti i Shkupit e përmbushi detyrën e tij si mikpritës. Qytetin tonë e vizituan një numër i madh i turistëve të cilët patën rastin të njihen me bukurinë, kulturën dhe me gjithë infrastrukturën që posedon Qyteti i Shkupit”, deklaroi Trajanovski.

Trajanovski duke shprehur shpresë që edhe në të ardhmen Shkupit do t’i jepet besimi për organizime të këtilla të nivelit të lartë, tha se: “Përfitim për qytetin e Shkupit është edhe ajo se për një numër të madh të njerëzve që përveç për sportin, tani do të bëhet edhe destinacion turistik. Ka shumë njerëz që thonë ‘Erdhëm për Super Kupën, megjithatë herën tjetër do të vijmë për Shkupin’”.

Ai përmendi edhe “fan zonën neutrale”, e cila ishte organizuar nga Qyteti i Shkupit në sheshin “Maqedonia” në qendër të qytetit. Sipas tij, aktivitetet e zhvilluara në këtë vend kanë tërhequr një numër të madh të turistëve, siç tha ai, e kanë vizituar së paku 100 mijë njerëz. Qyteti i Shkupit për “fan zonën neutrale” ka shpenzuar 200 mijë euro.

Nga ana tjetër, institucionet përkatëse për ruajtjen e rendit dhe për sigurinë shëndetësore të qytetarëve dhe turistëve njoftuan se nata e mbrëmshme, gjatë ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Manchester Unitedit kaloi qetë, pa probleme apo incidente serioze.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se gjatë natës së kaluar nuk është regjistruar rritje e numrit të zakonshëm të intervenimeve. Nga atje theksuan se në klinikën për toksilogji nuk është pranuar asnjë pacient, në shërbimin e ndihmës së shpejtë nuk janë regjistruar kolapse, ndërsa vetëm një shtetas i huaj me thyerje të dorës është transportuar në klinikën për sëmundje kirurgjike.

Poashtu edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme theksuan se siguria e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në Super Kupën e UEFA-s nuk ka qenë e shqetësuar dhe se nuk janë regjistruar shkelje serioze të rendit publik. Nga atje njoftuan se janë ndaluar 14 persona prej të cilëve gjashtë shtetas të huaj dhe tetë shtetas të Maqedonisë.

Edicioni i 42-të i Super Kupës së UEFA-s u zhvillua mbëmë në stadiumin kombëtar “Filipi i dytë” në Shkup, ndërsa Real Madridi arriti të fitojë trofeun kundër Manchester Unitedit me rezultat 2:1.

Shekulli Agency