Shevchenko ka një mesazh për Kombëtaren shqiptare

shevchenkoAndriy Shevchenko uron që Shqipëria të shkojë sa më larg në “Euro 2016”. Ish-sulmuesi i Dinamos së Kievit,  Milanit dhe Chelseat, aktualisht zëvendëstrajner i Ukrainës, në përfundim të miqësores së Bergamos kujtoi se përfaqëusesja kuqezi ka ndryshuar shumë vitet e fundit dhe mund t’u hapë probleme edhe skuadrave më të forta. Më shumë se 10 vite më parë, Sheva ka qenë kundërshtar i Shqipërisë në fushën e blertë, ndërsa sot kontributin e tij e jep nga pankina.

“Shqipëria ka ndryshuar shumë, skuadra ka bërë progres. Trajneri De Biasi po punon shumë mirë, futbollistët gjithashtu. Ndeshja ishte shumë e ekuilibruar dhe e fortë, ne ishim më pranë fitores dhe ia arritëm. Unë e uroj Shqipërinë që të ecë sa më shumë në europian.”

39-vjecari, fitues i Topit të Artë, e pranon se Shqipëria është një kombëtare për t’u vlerësuar, pasi ka lojtarë të rëndësishëm që vlerësohen në futbollin ndërkombëtar.

“Shqipëria është një realitet në futbollin europian dhe kjo kuptohet edhe nga emrat e futbollistëve që luajnë në kampionatet të rëndësishme në Europë. Janë vërtet lojtarë shumë të mirë.”

Në fund Shevchenko nuk harroi të falenderonte tifozët shqiptare, për pritjen që i rezervuan në “Atleti Azurri” të Bergamos.

“Do të doja të shtoja dicka tjetër. Jam pritur shumë mirë këtu nga tifozët shqiptarë dhe për këtë gjest dua t’i falenderoj dhe t’u them që do të mbështes Shqipërinë në “Francë 2016”.

/supersport/

Shekulli Agency