Mancini: Fitore me çdo kusht ndaj Genoas e Udineses

manciniPër të shpresuar ende te vendi i tretë, në shtëpinë e Interit e dinë shumë mirë se sukseset ndaj Frosinones dhe Napolit duhen konfirmuar me të tjera fitore. Këtë mesjavë zikaltërit do të udhëtojnë në Luigi Ferraris për të sfiduar Genoan e Gasperinit në një takim ku për Interin vlerë kanë vetëm 3 pikët. Është i vetëdijshëm për këtë trajneri Roberto Mancini.

“Duhet të konfirmohemi. Ndaj Genoas dhe Udineses do të jenë dy ndeshje vendimtare për ne, nuk duhet të hedhim poshtë gjithcka. Në garën për vendin e tretë, shumë gjëra do të varen nga këto dy sfida. Nëse i fitojmë të dyja, dhe Napoli ndal Romën fundjavën e ardhshme mund të kemi shanset tona. Ndaj Genoas nuk do ta kemi të lehtë gjithsesi. Ata janë një skuadër agresive dhe ne duhet të shpenzojmë shumë energji për ta fituar këtë takim. Për më tepër duhet të vlerësojmë deri në momentet e fundit edhe gjëndjen e Icardit por edhe atë të francezit Biabiany të cilët kanë marrë goditje në sfidën ndaj Napolit, dhe nuk janë në formën optimale”.

Më pas Mancini foli edhe për disa elementë të rëndësishëm të skuadrës së tij si për shembull, Eder që nuk po kalon një moment të mirë që nga momenti që ka mbërritur në Milano pasi sulmuesi italo-brazilian ende nuk e ka gjetur rrugën e rrjetës me Interin.

“Eder nuk ka luajtur në ndeshjet e fundit, por në ato raste që ai ka zbritur në fushë ka bërë më të mirën e tij për skuadrën. Duhet të qëndrojë i qetë sepse ajo që ndodhi me Icardin muaj më përpara po ndodh tashmë me të, por nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Perisic ka oferta dhe mund të largohet në verë? Këto janë thjeshtë tashetheme ne sapo e kemi blerë Ivanin dhe ai është një element tek i cili do të bazohet Interi i së ardhmes”.

Shekulli Agency