“Rusia mund të ketë lançuar raketën qëllimisht në hapësirën polake për të testuar reagimin e NATO-s”

Gjenerali polak Stanislaw Koziej tha se Rusia mund të ketë lançuar qëllimisht një raketë në hapësirën ajrore të Polonisë, anëtare të NATO-s, si një test i fundjavës për mbrojtjen e vendit dhe aleancës.

“Situata të tilla mund të provokohen qëllimisht nga armiku për të testuar sistemin polak të mbrojtjes ajrore”, tha Koziej në një intervistë me Agjencinë Polake të Shtypit.

Komanda Operative e Forcave të Armatosura të Polonisë (RSZ) njoftoi dje se forcat e saj ishin vënë në një gjendje gatishmërie të shtuar pas “aktivitetit intensiv të aviacionit me rreze të gjatë të Federatës Ruse” dhe sulmeve me raketa në Ukrainë. RSZ tha se Rusia kishte shkelur hapësirën ajrore të Polonisë me një raketë kryqëzuese që për 39 sekonda hyri në hapësirën ajrore polake pranë Oserdow, në rajonin lindor të Lublinit.

“Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të bëjë një raketë e tillë”, tha Koziej, duke shtuar: “Aq më tepër sepse ato janë shpesh raketa me qëllime të dyfishta që mund të mbajnë një ngarkesë bërthamore”.

Koziej, i cili më herët ka shërbyer edhe si ish-kreu i Byrosë së Sigurisë Kombëtare të Polonisë, gjithashtu u shpreh:

“Për më tepër, rusët mund të duan të përdorin hapësirën ajrore kufitare, duke shkelur gjithashtu kufirin polak, për të sulmuar objektet ukrainase me raketa lundrimi nga perëndimi, ku mbrojtja ajrore është ndoshta më e dobët”.

“Situata tani kërkon veprime shumë vendimtare. Sipas mendimit tim, i vetmi mjet për të mbrojtur hapësirën ajrore polake dhe territorin polak kundër këso lloj ngjarjesh është krijimi nga NATO i një zone të mbrojtjes kundër raketave të shtrirë përpara kufirit polak, mbi territorin e Ukrainës”, shtoi ai.

Shekulli Agency