Kompania turke Baykar ka njoftuar se ka eksportuar 6 dronë të armatosur në Ukrainë.
Lloji i dronit i quajtur Bayraktar TB2 me sukses i ka përfunduar të gjitha procedurat testuese të pranimit, ka shkruar kompania turke në Twitter.
Pas testeve, kompania Baykar, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës dhe kompania shtetërore ukrainase e tregëtisë me armë, Ukrspecexport, kanë nënshkruar marrëveshjen përfundimtare.
Sipas marrëveshjes, Baykar gjithashtu ka shitur edhe tre sisteme stacioni të kontrollit tokësor së bashku me pajisjet.
Bayraktar TB2 përdoret nga Forcat e Armatosura Turke dhe Drejtoria Turke e Sigurisë që nga viti 2015.
Ky lloj i dronit është zhvilluar për zbulimin taktik dhe misionet e mbikëqyrjes dhe gjithashtu mund të mbajë municione dhe të kryejë sulme, ndërsa është i pajisur edhe me pajisje për caktimin e objektivit me lazer.
Forcat e Armatosura Turke kanë një flotë prej 75 dronëve Bayraktar TB2.