Me datë 5 shtator përkujtohet në rang botëror Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, e cila është sanksionuar nga OKB-ja, me propozim hungarez, në koincidencë me ditën e vdekjes së Nënë Terezës. Ky është një tjetër vlerësim – i ardhur dy vite më parë – për misionin e përkushtuar të Nënë Terezës, që në botë vlerësohet si vepër humane në aspektin abstrakt, ndërsa tek ne, ashtu si në Vatikan, veprimtaria e saj konceptohet kategorikisht si fetare-kishtare teksa tregtohet si kombëtare. Duke i vlerësuar aspektin njerëzor të veprimtarisë, OKB-ja mund t’i promovojë një ditë domethënëse nga jeta e saj, konkretisht epilogun, siç edhe ndodh tradicionalisht, kur nuk përkujtohet dita e lindjes ose ndonjë datë e lidhur me ngjarje të veçanta.
Në Shqipëri, dhe askund tjetër, ndodh e kundërta, pasi kemi vendosur ta kujtojmë Nënë Terezën me 19 tetor, datë e cila nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë apo me trevat shqiptare.
Së pari, e kundërta vërehet me komunitetin ndërkombëtar, meqenëse në vdesim të matemi përmes institucioneve të huaja, mundësisht perëndimore.
Së dyti, me veten, me rregullat e shtetit laik dhe komunitetet përkatëse. Kjo për arsyen e thjeshtë se ne celebrojmë si festë kombëtare ditën e lumturimit të Nënë Terezës, pra i promovojmë aspektin fetar dhe madje mirënjohjen post-mortem për angazhime ekskluzivisht fetare ndërmjetësuese mes besimtarëve dhe Hyjnisë. Këtë mirënjohje e përcaktojnë struktura të posaçme të Selisë së Shenjtë: ato vendosin se kush ka aftësinë të ndërhyjë tek Hyji.
Shteti shqiptar e merr të mirëqenë këtë aftësi dhe e ngre në nivel feste kombëtare, me motivacione anonime, por të lexueshme si fetare, natyrisht katolike, duke i njohur 12%-15% tre festa zyrtare. Të këtij nivel mjeran janë edhe një pjesë e mirë e mediave që zhurmojnë për shenjtërinë e kompromentuar të Shën Kozmait, ndërsa nuk shpenzojnë një fjalë në mbrojtje të vlerave dhe detyrimeve të shtetit shqiptar ose, thënë ndryshe, të shenjtërisë së laicitetit dhe konceptit të qytetarisë.
[…] Duam të kujtojmë se promovimin e direktivës konkrete (19 tetorit) të Kishës katolike e kemi dhuratë nga Kryeministri i parafundit dhe spektri tjetër politik: nga ai person që figura të rëndësishme të Kishës katolike në Shqipëri ose në shërbim të saj nuk kanë hezituar ta konsiderojnë si oriental, filoislamik e madje më shumë. Kjo besojmë mjafton për të nënvizuar se përkatësia fetare e pushtetarëve tanë, e deri pjesa ku vendosin ta bëjnë ndonjë simbol fetar tatuazh, nuk na intereson aspak, kundrejt afetarizmit të institucioneve publike dhe shtetit tonë, që është i të gjithëve njëlloj, pasi në demokraci nuk ka qytetarë të privilegjuar në emër të fesë e të tjerë të përdorur për taksa e vota. Më shumë se laicitet jetim kësaj i thonë nënën laicitetit.