Fillimi PolitikëXhaferi: Zgjedhjet lokale do t’i shpall më 6 gusht dhe do të mbahen më 15 tetor

Xhaferi: Zgjedhjet lokale do t’i shpall më 6 gusht dhe do të mbahen më 15 tetor

nga Shekulli Agency

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, në një konferencë për media në të cilën njoftoi punën e bërë në 100 ditët e kaluara, bëri të ditur se shtëpia ligjvënëse këto 100 ditë të para ka mbajtur gjithsej nëntë seanca, prej të cilave katër janë të përfunduara plotësisht dhe pesë janë në proces të debatit, raporton (AA).

Xhaferi në konferencën për media përveç për aktiviteteve të marrjes së funksionit kryetar i Parlamentit u përqendrua edhe në detyrat e ardhshme të cilat qëndrojnë para deputetëve, ndërsa kanë të bëjnë para së gjithash në plotësimin e obligimeve të Kuvendit të cilat dalin nga Plani 3-6-9 me të cilin qeveria u obligua për prioritete urgjente reformuese dhe zbatimin e tyre.

Ai duke përmendur grupet punuese dhe trupat koordinuese brenda Kuvendit të cilat tashmë janë me përbërje të plotë dhe punojnë me kapacitet të plotë, u ndal në takimet ndërkombëtare.

“Janë nxjerrë pesë ligje të reja. Janë realizuar gjithsej 39 aktivitete ndërkombëtare, prej të cilave 28 takime me ambasadorë të autorizuar rezident dhe jorezident në Maqedoni nga vendet fqinje, vendeve të Bashkimit Evropian, Azisë, Mediteranit, si dhe shefave të delegacioneve, përfaqësive dhe zyrave në Maqedoni”, tha Xhaferi.

Ai theksoi se në këto 100 ditë janë realizuar edhe dy vizita pune, në Bruksel dhe në Forumin Parlamentar të Sigurisë në Letoni, ndërsa shtoi se vizita e tij e parë si kryeparlamentar ishte në Mal të Zi, duke e cilësuar këtë shtet si përcaktim strategjik të Maqedonisë, pasi që është anëtari më i ri i NATO-s.

Kreu i Kuvendit të Maqedonisë foli edhe për Planin 3-6-9 për të cilën theksoi se Kuvendi jep përkrahje të plotë për zbatimin e tij. Ai bëri të ditur se në Kuvend janë duke u themeluar dy grupe punuese që kanë për detyrë të përcjellin ecuritë e zbatimit të Planit 3-6-9 të Qeverisë.

Në lidhje me zgjedhjet lokale, Xhaferi deklaroi se: “Zgjedhjet lokale mund të them që në rast se gjithçka rrjedh sipas dinamikës së paraparë, pritjet e mia janë se me 6 gusht do të mund t’i shpall zgjedhjet lokale të cilat do të mbaheshin më 15 tetor”.

Kujtojmë se në historinë e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi është shqiptari i parë që udhëheq një nga tre funksionet më të larta shtetërore, përkatësisht funksionin e kryeparlamentarit.

Ai u zgjodh mbrëmjen e 27 prillit në një atmosferë kaotike nga ana e deputetëve të shumicës parlamentare. Ata duke qëndruar në këmbë zgjodhën kryeparlamentarin e parë shqiptar, pasi që deputetët e VMRO-DPMNE-së me brohoritje dhe intonimin e himnit të Maqedonisë tentonin të parandalojnë zgjedhjen.

Mirëpo, zgjedhjes së Talat Xhaferit për kryeparlamentar i parapriu gjendje e tensionuar, pasi që protestuesit mbështetës të VMRO-DPMNE-së që ishin tubuar para ndërtesës së Kuvendit, depërtuan kordonin dhe hynë me dhunë brenda ndërtesës. Si pasojë e dhunës së protestuesve që kishin cak deputetët, mbetën të plagosur rreth 100 persona, duke përfshirë deputetë, punonjës të policisë dhe përfaqësues të medias.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies