Fillimi PolitikëVuçiq: Është e qartë se nuk mund të ketë kompromis për targat dhe disa çështje madhore në Kosovë

Vuçiq: Është e qartë se nuk mund të ketë kompromis për targat dhe disa çështje madhore në Kosovë

nga Shekulli Agency

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pas bisedimeve me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se është e qartë se nuk mund të arrihet një zgjidhje kompromisi në lidhje me targat e automjeteve dhe “disa çështje më të mëdha” në Kosovë.

Në një video-mesazh që ka publikuar në Instagram, Vuçiq ka thënë se pjesa e dytë e bisedës me Lajçak dhe Escobar, e cila u zhvillua dje, përfundoi 15 minuta pas mesnate.

“Besoj se në ditët në vijim, të paktën për një pjesë të vogël do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi, pasi është e qartë se një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare për sa i përket targave dhe disa çështjeve madhore”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se edhe ajo për atë të cilën shpreson “nuk është e sigurt” dhe se duhen garanci të tjera dhe shumë më tepër punë.

“Në ditët në vijim do të punojmë shumë për të siguruar dhe ruajtur paqen për popullin tonë dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë të ardhmen për mbijetesën e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiq.

Në takim morën pjesë edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill dhe ambasadori i BE-së në Serbi, Emanuel Zhiofre.

Vuçiq u takua me Lajçak dhe Escobar dje pasdite, pas së cilës ai deklaroi se bisedimet nuk ishin “të lehta” dhe se ato do të vazhdojnë të enjten vonë në mbrëmje.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies