
Türkiye (Turqia) përshëndeti “qasjen konstruktive” të Suedisë dhe Finlandës për zgjidhjen e shqetësimeve të Ankarasë, pasi të tre vendet nënshkruan një memorandum dje në Madrid, duke hapur rrugën për anëtarësimin e dy vendeve nordike në NATO, transmeton (AA).
“Qeveria jonë do të punojë ngushtë me homologët e saj finlandezë dhe suedezë për të zbatuar këtë marrëveshje. Jemi të kënaqur me qasjen e tyre konstruktive për të adresuar shqetësimet tona. Ne do të punojmë që brenda NATO-s të ketë më shumë unitet për çështjen e terrorizmit”, shkroi në Twitter, Fahrettin Altun, kreu i Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës.
Ai tha se takimi midis presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, presidentit finlandez Sauli Niinisto, kryeministres suedeze Magdelena Andersson dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg “arriti rezultate konkrete, specifike dhe domethënëse sa u përket shqetësimeve tona për terrorizmin”.
Të gjitha palët “ranë dakord të bashkëpunojnë plotësisht kundër organizatës terroriste PKK dhe të gjitha degët e saj”, tha Altun duke shtuar se “Suedia dhe Finlanda janë zotuar të qëndrojnë pranë Türkiye-s kundër të gjitha formave të terrorizmit dhe janë zotuar të mos mbështesin grupet terroriste PYD/YPG dhe FETO”.
Ministrat e Jashtëm të Türkiye-s, Suedisë dhe Finlandës nënshkruan një memorandum mirëkuptimi trepalësh në Madrid të martën mbi procesin e anëtarësimit të vendeve nordike në NATO. Me nënshkrimin e marrëveshjes, Finlanda dhe Suedia janë zotuar të trajtojnë shqetësimet e sigurisë së Ankarasë lidhur me qëndrimin e tyre ndaj grupeve terroriste PKK dhe FETO, duke hapur rrugën për anëtarësimin e tyre në NATO.