Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, ka biseduar përmes telefonit me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa tema kryesore që ka mbisunduar bashkëbisedimin mes dy presidentëve, ka qenë kriza në Siri.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se dy lidërët janë pajtuar se kriza në Siri është duke zgjatur shumë.
“Presidenti Trump dhe presidenti Putin janë pajtuar se të dy palët duhet të bëjnë çmos në mënyrë që të ndalojë dhuna në atë shtet”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë, në të cilin nënvizohet se biseda ka qenë tejet konstruktive.
“Biseduan edhe për çështjen e zonës së sigurisë në Siri në mënyrë që të mundësohet një paqe e qëndrueshme për hir të objektivave humanitare”, thuhet në deklaratë.
Të dy udhëheqësit shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet e fundit në Korenë e Veriut dhe mbi mënyrat më të mira për zgjidhje të këtij problemi.