Trump në maj do të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar ftesën nga lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un dhe në muajin maj ata do të zhvillojnë një takim.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Koresë së Jugut, Chung Eui-Yong, pas bisedimeve me zyrtarët amerikanë bëri një deklaratë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

Duke folur për një letër që lideri i Koresë së Veriut i ka dërguar Trumpit dhe se në këtë letër shprehen pritshmëritë për një takim sa më shpejt të jetë e mundur me presidentin amerikan, Chung ka theksuar se “Presidenti Trump do të takohet me Kim Jong-un në muajin maj për të arritur qëllimin e pastrimit nuklear në mënyrë të përhershme (të Gadishullin Korean)”.

“Kim gjithashtu premtoi se që nga tani e tutje Koreja e Veriut do të shmangë çdo test të raketave bërthamore ose balistike, dhe se ai ka kuptuar që stërvitjet rutinë ushtarake midis SHBA dhe Koresë së Jugut duhet të vazhdojnë”.

Zyrtari i Koresë së Jugut ndër të tjera theksoi se shpresat e tyre për një zgjidhje paqësore midis dy vendeve janë forcuar edhe më shumë me këto hapa.

– Konfirmohet nga Shtëpia e Bardhë

Në anën tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, në një deklaratë me shkrim ka konfirmuar se Trump dhe Kim Jong-un do të takohen, duke bërë të ditur se vendi dhe koha e takimit do të përcaktohen më pas.

“Po presim me padurim të shohim Korenë e Veriut pa armë bërthamore. Deri atëherë të gjithë sanksionet dhe presioni maksimal (mbi Korenë e Veriut) duhet të vazhdojnë”, është shprehur Sanders në deklaratën e saj.

Një ditë më parë Trump në lidhje me çështjet nga llogaria e tij Twiter u shpreh: “Ne po bëjmë përparim në negociatat me Korenë e Veriut dhe për herë të parë në shumë vite, të gjitha palët po bëjnë një përpjekje serioze. Bota është duke shikuar dhe duke pritur. Ndoshta ky është një premtim i zbrazët, por SHBA është gati të shkojnë më tej në të dy anët (pozitive apo negative)”.

Shekulli Agency