Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, do të presë të hënën në një takim në Shtëpinë e Bardhë, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), raporton (AA).
Ambasdorja amerikane në OKB, Nikki Haley shkroi në Twitter se pret me padurim të dërgojë anëtarët e Këshillit në Shtëpinë e Bardhë ku do të kenë një dialog të drejtpërdrejt me presidentin amerikan.
Njoftimi është bërë në kohën kur Trump dhe këshilltari i tij për Siguri Kombëtare, gjenerali H.R. McMaster, pritën në një takim në Shtëpinë e Bardhë sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres me të cilin u bisedua për shkurtesa të mëtutjeshme të financimit amerikan të OKB-së.
Takimi ishte i pari midis dy zyrtarëve prej kur ata morën detyrat e tyre përkatëse në fillim të këtij viti. Guterres “ndjeu se kishte një diskutim interesant dhe konstruktiv mbi bashkëpunimin midis SHBA-ve dhe OKB-së”, tha zëdhënësi i OKB-së, Stephan Dujarric.
“Sekretari i Përgjithshëm dhe Presidenti ranë dakord të takoheshin përsëri në një të ardhme të afërt”, shtoi Dujarric.
Trump në fillim të këtij viti propozoi shkurtime gjithëpërfshirëse të buxhetit për Departamentin e Shtetit dhe për financimin e jashtëm humanitar, i cili do të kishte një efekt të paspecifikuar mbi financimet e SHBA-ve për OKB-në.
SHBA-të janë kontribuesi më i madh financiar i OKB-së, duke siguruar më shumë se një të pestën e fondeve të saj kryesore dhe rreth një të tretën e financave të saj paqeruajtëse.