Fillimi PolitikëThaçi i bën thirrje qeverisë që urgjentisht të heq taksën

Thaçi i bën thirrje qeverisë që urgjentisht të heq taksën

nga Shekulli Agency

Pas paralajmërimit të kryeministri të Kosovës, Albin Kurti, se do të heq taksat e importit të mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina me kusht dhe gradualisht, presidenti Hashim Thaçi sot është shprehur se “kokëfortësia, mungesa e veprimeve dhe e vendimeve të mençura, e ka thelluar izolimin e Kosovës dhe ka prishur në mënyrë të ndjeshme raportet speciale me SHBA-në”.

Thaçi në rrjetet sociale ka shkruar se mbetja në fuqi e taksës është pengesë serioze dhe e pamundëson bashkëpunimin strategjik dhe investimet e reja të fuqishme amerikane në Kosovë. Thaçi ka theksuar se nevoja që me urgjencë të merren vendimet e duhura ishte kërkesë dhe mesazh kryesor në takimin me Sekretarin Mike Pompeo dhe me Këshilltarin për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.

“Edhe kërkesa ime e qartë si president për qeverinë, për spektrin politik dhe mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës është që pa humbur kohë të merren vendimet e duhura strategjike, të cilat i japin fund izolimit, i hapin mundësi dialogut për arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe e forcojnë miqësinë e përhershme dhe bashkëpunimin strategjik me SHBA-në”, ka shkruar Thaçi.

Ai gjithashtu ka thënë se është i panevojshëm hezitimi eventual për vendime të shpejta, të mençura, të plota e jo të pjesshme, “sepse këto vendime janë rruga e vetme për t’i arritur qëllimet tona shtetërore dhe strategjike”.

Më herët gjatë ditës është prononcuar edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka deklaruar se do të bisedojë sot me kryeministrin Kurti për vendimin e tij që pjesërisht të heq taksat për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Ajo tha se është e rëndësishme që Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, si partnerë të koalicionit, të sjellin vendime të përbashkëta.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dje paralajmëroi se nga 15 marsi do të hiqet taksa prej 100 për qind ndaj importit të lëndëve të para nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina (BeH), ndërsa si kthim nga Serbia pret ndërprerjen e fushatës për tërheqjen e njohjeve dhe heqjen e barrierave jotarifore për ekonominë kosovare.

Ndaj kësaj deklarate të Kurtit ka reaguar ashpër i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, i cili është shprehur se “Kurti po gabon rëndë, pasi SHBA kërkon heqjen e tërësishme të taksave pa kushte”.

Nga ana tjetër, Bashkimi Evropian (BE) ka përshëndetur vendimin e kryeministrit Kurti që pjesërisht dhe me kusht të heq taksat, duke vlerësuar se ky ishte një hap i parë dhe se priten më shumë detaje. Përmes një deklarate, nga BE thonë se masa mund të ketë një efekt pozitiv në rifillimin e tregtisë rajonale dhe mund të lehtësojë rifillimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies