
Asnjë shtet i NATO-s nuk është përballur me sulme të ardhura nga Lindja e Mesme sa Turqia, tha Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi, raporton AA.
Komentet e Stoltenberg erdhën gjatë një konference për media në Stamboll pas takimit me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.
Shefi i NATO-s tha se me kryediplomatin turk kanë diskutuar në lidhje me operacionin e Turqisë “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë.
“Duhet të gjendet zgjidhje që luftëtarët e DEASH-it që mbahen në Siri të ngelin atje”, tha Stoltenberg.
Ai nënvizoi se Turqia është vend i rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit dhe shtoi se vuri theksin mbi kontributet që Turqia ka ofruar në luftën kundër DEASH-it.
“Aleatët e NATO-s do të vazhdojnë ta mbështesin Turqinë. Turqia radhitet në frontin e parë në një luftë të rëndësishme për të gjithë ne”, theksoi Stoltenberg.
Ndryshe, të mërkurën, Turqia nisi operacionin “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.