Fillimi PolitikëSHBA dhe BE përshëndetën zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë

SHBA dhe BE përshëndetën zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë

nga Shekulli Agency

Departamenti Amerikan i Shtetit si dhe përfaqësuesit e lartë evropianë Federica Mogherini dhe Johannes Hahn përmes njoftimeve kanë uruar formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i urojnë kryeministrit Zoran Zaev dhe shumicës në Kuvend për formimin e Qeverisë së re të Maqedonisë. Si miq dhe partner të Maqedonisë, SHBA-të do të bashkëpunojnë me Qeverinë e re në dëtyrën e saj drejt përmbushjes së aspiratave euro-atlantike me implementimin e reformave urgjente, forcimin e sundimit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe përgjegjësinë e Qeverisë”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Nga ana tjetër edhe Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian (BE) Federica Mogherini dhe Eurokomisari për Negociata dhe Zgjerim Johanes Hahn përmes një njoftimi të përbashkët përshëndetën zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë.

“Ne përshëndesim votimin e Qeverisë së re të kryesuar nga kryeministri Zoran Zaev. Bashkimi Evropian është i gatshëm që të mbështes punën që Qeveria e re, si dhe opozita, do ta bëjnë që në mënyrë konstruktive të implementohen të gjitha pjesët e marrëveshjes së Përzhinës dhe Prioritetet Urgjente Reformuese. Presim që të gjitha partitë parlamentare momentalisht t’i lënë ndarjet e tyre anash dhe nga fillimi të punojnë bashkë në dorëzimin e axhendës së përbashkët reformuese e cila do të jetë e dobishme për vendin në tërësi. Kjo po ashtu është me rëndësi thelbësore që të kthehet vendi në rrugën e saj drejt integrimit evropian, proces të cilin qytetarët qartazi e duan dhe e meritojnë”, thuhet në njoftimin e dyshes së lartë evropiane.

Kryeministri Zoran Zaev gjithashtu ka marrë urimet e para edhe nga liderët e rajonit.

Kryeminitri në largim i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sipas një njoftimi nga zyra e tij, ka uruar kryeministrin e sapozgjedhur të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe Qeverinë e re të Maqedonisë të zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë.

Në një telegram dërguar kryeministrit Zaev, Mustafa duke i uruar suksese, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim dhe intensifikim të relacioneve ndërmjet dy shteteve.

“Shpreh bindjen e plotë se Qeveria e re e Maqedonisë do të vazhdojë fuqizimin e marrëdhënieve shumë të mira që dy vendet dhe dy popujt tanë kanë ndërmjet tyre”, ka shkruar Mustafa.

Ndryshe, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë dje në seancën në të cilën në rend dite ishte zgjedhja e Qeverisë së Maqedonisë, në prani të 111 deputetëve, prej të cilëve 62 votuan “pro”, 44 kundër dhe 5 të përmbajtur, zgjodhën Qeverinë e re të Republikës së Maqedonisë të kryesuar nga Zoran Zaev si kryeministër.

Qeveria e re do të përfaqësohet nga tre subjekte politike, edhe atë 17 ministri nga LSDM-ja, 6 nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), si dhe 2 nga koalicioni “Aleanca për Shqiptarët”.

Mund t'ju pëlqejë gjithashtu

Duke vazhduar përdorimin e kësaj faqeje, ju pranoni përdorimin e cookies. Nëse nuk pranoni cookies, ju lutemi largohuni nga faqja. Prano Lexo më shumë

Politika e Cookies